LAJMI I FUNDIT:

11 sjellje që duken të pasjellshme, por i përkasin një personi të ndrojtur

11 sjellje që duken të pasjellshme, por i përkasin një personi të ndrojtur

Në një botë që shpesh u jep përparësi individëve ekstrovertë, njerëzit me një personalitet më introvert mund të duken të pasjellshëm ose antisocialë kur, në realitet, është pikërisht mënyra se si ata janë “gatuar” për ndërveprime specifike në shoqëri

Këtu janë 11 sjellje që duken të vrazhda, por në fakt janë shenja të një personi shumë introvert dhe të ndrojtur:

1. Shmangia e kontaktit me sy


Për personat pa një gjendje të diagnostikuar të shëndetit mendor, shmangia e kontaktit me sy mund të lidhet me ndrojtjen ose mungesën e vetëbesimit. Të shikosh dikë në sy ndërsa flet mund të ndihet e pakëndshme për ata që nuk praktikojnë biseda me persona jo aq të afërt ose që priren të shmangin të qenit në qendër të vëmendjes.

2. Ngurrimi për të nisur biseda

Hulumtimet rreth formimit të marrëdhënieve zbuluan se shumë biseda shmangen sepse fillimi i një të tille është thjesht shumë i vështirë për disa. Nuk është për shkak se introvertët nuk duan të flasin me njerëzit; sapo të filloni të flisni me një introvert, do të habiteni se sa të gatshëm janë ata të bëjnë një bisedë. Megjithatë, kjo sjellje është e rrënjosur në ndërveprimet shoqërore, të cilat shpesh janë mjaft dërrmuese dhe të lodhshme për ta.

3. Përgjigjet e vonuara me mesazhe

Dërgimi i ngadaltë i mesazheve nuk është një shenjë mosinteresimi – ai pasqyron preferencën e introvertit për ndërveprime të zhytura në mendime, ballë për ballë, shkruan Your Tango.

4. Dukja e painteresuar

Ajo që duket si mosinteresim është një formë e dëgjimit të thellë dhe përpunimit të brendshëm, tipike për introvertët. Një nga tiparet më të keqkuptuara të njerëzve shumë introvertë është se ata duken të shkëputur ose të painteresuar ndërsa dëgjojnë dikë që tregon një histori. Njerëzit introvertë janë zakonisht dëgjuesit më të mirë, dhe vetëm kështu e përpunojnë informacionin.

5. Mbajtja private e të dhënave të tyre personale

Individët introvertë e bëjnë këtë vetëm sepse e vlerësojnë privatësinë e tyre dhe gjithashtu kërkon kohë për t’u hapur dhe për t’u besuar njerëzve.

6. Komplimentet e rralla

Introvertët nuk i komplimentojnë të tjerët nëse nuk e mendojnë vërtet. Mendimi i thellë dhe fokusi i introvertëve mund të jetë shumë efektiv në ndërveprimet sociale. Studimi i Grantit të Harvardit tregon se introvertët priren të kenë më pak marrëdhënie, por më të thella dhe më kuptimplota.

7. Refuzimi i ftesave sociale

Kjo nuk do të thotë se ata nuk e vlerësojnë ftesën, por një ngjarje sociale për ta mund të jetë tepër dërrmuese dhe e lodhshme. Ata mund të dalin një ose dy herë në një aktivitet shoqëror, por shumë herë radhazi është diçka që ata do ta shmangin në mënyrë aktive.

istockphoto

8. Qetësia nëpër grupime

Heshtja në grupe më të mëdha është shpesh një zgjedhje e qëllimshme për të përpunuar më thellë bisedat. Nuk është për shkak se ata nuk duan të jenë atje ose nuk i pëlqejnë njerëzit në grup, por sepse ata sinqerisht preferojnë të dëgjojnë sesa të flasin.

9. Marrja e kohës për të marrë vendime

Shqyrtimi i kujdesshëm i introvertëve nuk është pavendosmëri – është një preferencë për zgjedhje të mirëmenduara. Në një botë kaq të shpejtë, ka diçka freskuese për individët introvertë që duan të analizojnë çdo detaj në vend që të marrin vendime impulsive që vetëm do t’i dëmtojnë ata në planin afatgjatë.

10. Shmangia e dhënies së këshillave të pakërkuara

Introvertët shpesh refuzojnë të ofrojnë mendime kur s’u kërkohen, duke u siguruar që kontributet e tyre janë të rëndësishme. Kjo ndodh sepse njerëzit introvertë nuk supozojnë automatikisht se dikush dëshiron të dëgjojë atë që thonë, citon Anabel.

11. Shprehjet neutrale të fytyrës

Një vështrim i qetë ose neutral është shpesh një shenjë e introspeksionit tek introvertët sesa një mungesë angazhimi. Për shkak se individët introvertë kanë më shumë gjasa të kenë një shprehje neutrale ose serioze gjatë ndërveprimit shoqëror, ata shpesh shihen si intimidues ose të pasjellshëm. Megjithatë, njerëzit introvertë nuk e ndiejnë nevojën të jenë ekspresivë gjatë gjithë kohës, pasi mund të jetë thjesht e parehatshme për ta. /Telegrafi/