Nga Danimarka në Kinë -shembuj të jashtëzakonshëm të arkitekturës moderne ku ballkonet shndërrohen në vepra arti që japin identitet fasadës

Ballkonet e pazakonta dhe origjinale kanë aftësinë të tërheqin vëmendjen e kalimtarëve dhe të përcaktojnë karakterin e një ndërtese. Përtej funksionalitetit dhe hapësirës shtesë, forma e tyre unike mund t’i kthejë në elemente artistike që pasurojnë arkitekturën urbane.


Në këtë artikull sjellim 10 shembuj të jashtëzakonshëm nga përzgjedhja e revistës Dezeen, ku ballkonet janë shndërruar në simbole të kreativitetit dhe inovacionit bashkëkohor.

Kaktus Towers, Danimarkë – BIG

Studioja daneze BIG projektoi “Kaktus Towers”, dy kulla me gjithsej 495 njësi banimi, të dallueshme për ballkonet e tyre trekëndëshe që u japin pamje si kaktus. Apartamentet kanë planimetri të rrotulluara, duke i ofruar secilit shtëpi një perspektivë të veçantë mbi Kopenhagë, transmeton Telegrafi.

Q Residences, Holandë – Studio Gang


Ky kompleks përfshin një strukturë 8-katëshe të quajtur Qube dhe një kullë 23-katëshe të quajtur Quartz, të lidhura me një shesh publik. Fasada është e mbuluar me elementë betoni që krijojnë tarraca diagonale, të cilat duken sikur lëvizin brenda dhe jashtë strukturës.

Barangaroo House, Australi – Rogers Stirk Harbour + Partners

Ky objekt në Sidnei ka ballkone tarracore të veshura me panele druri të karbonizuara. Ato strehojnë restorante me pamje nga pjesa e ripërtërirë e jugut të Barangaroo. Ballkonet e kateve të sipërme kanë kopshte të ngritura dhe xhama të lëvizshëm që krijojnë lidhje të drejtpërdrejtë me hapësirat e brendshme.

Kompleksi i banesave, Francë – Peripheriques Marin+Trottin dhe Jumeau Architectes

Ky kompleks në L’Ile-Saint-Denis, Paris, dallohet për ballkonet e tij të harkuara e të rrethuar me parmakë metalikë. Ndërtesa me 8 kate përfshin edhe apartamente dupleks në majë. Ballkonet me forma valëzuese krijojnë hapësira private për çdo apartament, duke ruajtur njëkohësisht korridorin e përbashkët përgjatë gjithë fasadës.

MN15 Ibirapuera, Brazil – Königsberger Vannucchi Arquitetura

Një ndërtesë banimi me ballkone të parregullta të mbështjella me xham, që nga larg japin përshtypjen e pjerrësisë. Disa prej tyre dalin jashtë, ndërsa të tjerë tërhiqen brenda, duke krijuar një siluetë dinamike që i jep ndërtesës karakter skulpturor.

L’Arbre Blanc Tower, Francë – Sou Fujimoto

Kulla “Pema e Bardhë” në Montpellier është projektuar me frymëzimin e një druri. Përfshin 114 apartamente me ballkone të gjata deri në 7 metra. Shumë prej tyre lidhen me shkallë që nxisin ndërveprimin mes banorëve të kateve të ndryshme. Ballkonet në formë krahësh të hapur promovojnë jetën në natyrë.

Iqon Skyscraper, Ekuador – BIG

Ky neboder 133 metra i lartë në Quito përfshin 220 apartamente dhe dallohet për ballkonet e tij në formë “kutish të pikselizuara”. Ndërtuar prej betoni, ato strehojnë bimë dhe pemë tipike të Amerikës së Jugut. Ndërtesa gjithashtu ofron hapësira tregtare dhe zyra.

Norfolk Apartment Block, Australi – Koichi Takada Architects

Kompleksi banesor e komercial në Queensland është i frymëzuar nga struktura e kokrrave të pishës. Ballkonet e valëzuara janë të veshura me panele druri të palosshme. Projekti përfshin 15 apartamente, dy penthouse dhe hapësira rekreative në katin përdhes me pishinë, palestër dhe sauna.

Sky Yards Hotel, Kinë – Domain Architects

Hoteli me 48 dhoma ka ballkone të dizajnuara si “mikro-oborre”, secili me hapje të prerë në murin e jashtëm. Këto ballkone të thella ofrojnë pamje nga peizazhi malor, si dhe hapësira për kopshtet ose vaskat në natyrë.

Chongqing Housing Development, Kinë – Safdie Architects

Kompleksi banesor në Eling Hill, me sipërfaqe 42.740 m², u ofron 126 apartamenteve ballkone të integruara në një fasadë me formë të valëzuar. Ndërtesa ngrihet mbi lumin Jangce, ndërsa ballkonet janë të hijëzuara pjesërisht nga panele të harkuara që pasqyrojnë topografinë e terrenit. /Telegrafi/