Një burrë është arratisur nga një burg francez duke u fshehur në çantën e një të burgosuri tjetër, i cili po largohej nga burgu pasi kishte vuajtur dënimin, thanë zyrtarët për mediat lokale.

Shërbimi i burgjeve ka nisur një hetim pasi burri arratiset nga burgu Lyon-Corbas në Francën juglindore të premten, sipas transmetuesit BFMTV, transmeton Telegrafi.


Ai "përfitoi nga lirimi i të burgosurit tjetër për t'u fshehur në bagazhin e tij dhe për t'u larguar", tha shërbimi i burgjeve në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AFP.

Mediat franceze kanë raportuar se i burgosuri i arratisur po vuante disa dënime, dhe ishte gjithashtu nën hetim në një rast të lidhur me krimin e organizuar.

Një hetim gjyqësor është hapur gjithashtu për "arratisje të mundshme si pjesë e një bande të organizuar dhe komploti kriminal", sipas mediave lokale.

Muajin e kaluar, Shoqata e Avokatëve të Lyon shprehu alarm për mbipopullimin në burgun Lyon-Corbas.

Që nga 1 maji 2025, rreth 1,200 persona ishin të ndaluar në burgun, i cili ka kapacitet për 678 vende, kishte raportuar BFMTV. /Telegrafi/