Zyrtare: Shpëtim Babaj emërohet drejtor sportiv i Prishtinës së Re

Klubi i sapopromovuar në elitën e futbollit kosovar, Prishtina e Re, ka njoftuar sot (e premte) se kanë emëruar në rolin e drejtorit sportiv ish-futbollistin e njohur, Shpëtim Babaj. Babaj si një ish-lojtar me karrierë të pasur, do t’i ndihmojë Prishtinës së Re në arritjen e objektivave të klubit. Njoftimi i plotë i Prishtinës së Re: Kemi kënaqësinë të njoftojmë zyrtarisht emërimin e Shpetim Babaj në pozitën e Drejtorit Sportiv. z.Babaj kishte karrierë të çmuar si lojtar në skuadra të ndryshme vendore dhe evropiane, përvoja dhe njohuria e tij mbi futbollin do të jenë kyqe në ndërtimin e një skuadre konform objektivave të klubit. Pas prezantimit Babaj dha prononcimin e parë për faqen zyrtare të klubit: "Jam bashkuar me një klub me ambicie të qarta dhe një strukturë të organizuar si KF Prishtina e Re. Objektivi ynë është të ndërtojmë një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në futbollin vendor. E dimë që kjo nuk është e lehtë, jemi në vitin tonë të parë në Superligë dhe na pret shumë punë përpara. Por, duke parë përkushtimin, organizimin dhe ambiciet që ekzistojnë brenda klubit, jam i bindur që do t’i arrijmë qëllimet tona." Ky është vetëm fillimi i një epoke të re për klubin tonë në futbollin elitar të vendit.
/Telegrafi/





















































