KF Prishtina e Re ka zyrtarizuar emërimin e Qendrim Kidës si kryetrajner i ri i ekipit të parë, duke hapur një faqe të re pas një sezoni të vështirë dhe rezultateve nën pritshmëritë.

Stinori nisi me trajnerin Elon Berisha, ndërsa më pas u vazhdua nga Shpëtim Babaj, por ekipi nuk arriti të dilte nga zona e rrezikut.


Aktualisht, Prishtina e Re renditet e fundit në tabelë me vetëm 11 pikë, çka shtoi urgjencën për ndryshime në bankinën teknike, sidomos pas dorëheqjes së Babajt.

Në njoftimin zyrtar, klubi shprehet se beson fuqimisht në punën dhe filozofinë e trajnerit të ri:

"Ky vendim vjen si pjesë e strategjisë sonë të re për konsolidimin e ekipit, rritjen e stabilitetit dhe riformësimin e mentalitetit fitues brenda skuadrës. Klubi beson fuqimisht se me emërimin e Qendrim Kida si Kryetrajner, fillojmë një faqe të re të rëndësishme drejt stabilizimit dhe progresit".

"Jemi të bindur se me punë, disiplinë dhe bashkëpunim, ekipi do të rikthehet atje ku e meriton. Klubi i uron trajnerit Kida mirë se ardhje dhe shumë suksese në detyrën e re", thuhet në njoftimin e klubit.


Qëndrim Kida më parë ka udhëhequr Malishevën, ku e zuri vendin e tretë, por edhe Suharekën. /Telegrafi/

telegrafi sport app