Zyrtare: Marc Guehi kalon te Man City

Manchester City kanë zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit Marc Guehi nga Crystal Palace, duke i dhënë Pep Guardiolës një përforcim të menjëhershëm në repartin defensiv në një moment kritik të sezonit në Ligën Premier.
Qendërmbrojtësi anglez ishte shumë pranë kalimit te Liverpool gjatë verës, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit. Tani, 25-vjeçari ka vendosur t’i bashkohet Cityt, skuadër që synon të rikuperojë diferencën me liderët e Arsenalit, teksa kampionët po përballen me mungesa të rënda në mbrojtje.
Guardiola e sheh Guehin si zgjidhjen ideale për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga lëndimi afatgjatë i Josko Gvardiol dhe Ruben Dias, dy shtylla të prapavijës së “Citizens”.
Marc Guéhi completes his move to Manchester City 🩵 pic.twitter.com/rHvbYVXiT4
— Manchester City (@ManCity) January 19, 2026
Ky transferim përbën një goditje të fortë për Crystal Palace, fitues të FA Cup, të cilët humbin liderin e skuadrës. Trajneri Oliver Glasner kishte konfirmuar më herët gjatë javës se do të largohet nga posti i tij në fund të sezonit aktual, çka e bën largimin e Guehit edhe më të ndjeshëm për klubin londinez.
Guehi është produkt i akademisë së Chelseat, ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist përpara se të spikaste gjatë huazimit te Swansea. Më pas ai firmosi përfundimisht me Crystal Palace, ku kaloi një periudhë shumë të suksesshme, duke udhëhequr skuadrën drejt triumfit historik në FA Cup dhe Community Shield në vitin 2025./Telegrafi





















































