Përfaqësuesi i Nigerisë, Ademola Lookman, është zyrtarizuar si lojtar i ri i Atletico Madridit, pas largimit nga Atalanta.

Dy klubet konfirmuan marrëveshjen përmes deklaratave zyrtare të publikuara të hënën, duke bërë të ditur se transferimi është përfundimtar. Lookman kishte udhëtuar të dielën drejt kryeqytetit spanjoll për t’iu nënshtruar testeve mjekësore, të cilat i kaloi me sukses, përpara se të firmoste kontratën me klubin madrilen.


Atletico Madrid njoftoi se sulmuesi nigerian ka nënshkruar një kontratë afatgjatë deri në qershor të vitit 2030 dhe do të jetë pjesë e projektit të klubit për vitet e ardhshme në La Liga dhe në garat evropiane.

Lookman largohet nga Atalanta pas një periudhe shumë të suksesshme, ku zhvilloi 137 ndeshje dhe shënoi 55 gola në të gjitha kompeticionet.

Kulmi i karrierës së tij me klubin italian ishte finalja e Ligës së Evropës në vitin 2024, ku realizoi një het-trik historik ndaj Bayer Leverkusen të drejtuar nga Xabi Alonso, duke i dhënë fitoren 3-0 Atalantës dhe trofeun e parë evropian në historinë e klubit.

Sulmuesi 27-vjeçar kaloi tre vjet e gjysmë te Atalanta, periudhë gjatë së cilës u shndërrua në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës dhe një emër të respektuar në Serie A.

“Atalanta, familja Percassi, familja Pagliuca dhe i gjithë klubi i thonë lamtumirë Ademolës, duke e falënderuar për gjithçka dhe duke i uruar shumë suksese në të ardhmen”.

Lookman ishte rikthyer së fundmi te Atalanta pas angazhimeve me përfaqësuesen e Nigerisë në Kupën e Kombeve të Afrikës. Sipas disa burimeve, Atalanta ka përfituar rreth 35 milionë euro nga ky transferim, me mundësi edhe 5 milionë euro shtesë në formë bonusesh, ndërsa lojtari pritet të përfitojë rreth 7 milionë euro në sezon te Atletico Madrid./Telegrafi

telegrafi sport app