LAJMI I FUNDIT:

Zona ekonomike në Vushtrri pritet t’i krijojë rreth 1,000 vende pune

Zona ekonomike në Vushtrri pritet t’i krijojë rreth 1,000 vende pune

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë nënshkruar marrëveshjen për fillimin e investimeve për Zonën Ekonomike në këtë qytet, e cila u tha se do të kushtojë rreth 1.5 milionë dhe pritet të punësohen rreth 1000 persona.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Hasani, tha se afërsisht kjo zonë ekonomike mund të kushtojë 1.5 milion euro dhe do të realizohet brenda tri viteve të ardhshme.

“Këtu do të ketë punësim të ri, do të ketë mundësi për bizneset të cilave do t’i jepen hapësirë. Kjo është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Tregtisë dhe industrisë, që të krijojmë zonat ekonomike , që këto zona të jenë një mundësi, një ofrim i kushteve për bizneset, që të jenë konkurrent, t’i jepet një mundësi edhe bizneseve, investitorëve nga jashtë“, tha Hasani.

Ai shtoi se është kërkesë e bizneseve dhe kryetarit të komunës për këtë zona dhe se ata si ministri, janë të obliguar t’i krijojnë zonat të cilat janë të domosdoshme.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kjo zonë do të jenë në Lum të madh.

“Është një hapësirë prej 14.8 hektarësh, që është pronë komunale dhe që do të jetë në funksion të biznesit dhe krijimit të vendeve të punës në Vushtrri. Ky është investimi më i madh në 50 vitet e fundit për biznesin dhe për të mundësuar kushte më të mira për biznesin në komunën e Vushtrrisë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se shumë shpejt do të nisin investimet në këtë zonë dhe pastaj do të ketë thirrje për bizneset në këtë pjesë.

Tahiri thotë se ka pritur rreth 10 investitorë dhe nuk ka mundur t’i ofrojë hapësirë, kurse me zonën ekonomike, tha se kanë qëllim të krijojnë rreth 1,000 vende të punës. /KP /Telegrafi/