Komuna e Shtimes ka përuruar sot rrugën që lidh Zonën e Dytë Ekonomike të fshatit Gllavicë me rrugën magjistrale Shtime-Ferizaj, një investim me vlerë mbi 600 mijë euro, i cili pritet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të komunës, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Komunës, Dr. Qemajl Aliu, tha se kjo rrugë përbën një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të zonës ekonomike.




“Kjo rrugë lidh zonën ekonomike të Gllavicës me magjistralen Shtime-Ferizaj. Është një investim modern, me gjerësi 7 metra, kanale kulluese, kanalizim atmosferik, trotuar dhe ndriçim publik, me të gjitha standardet e nevojshme për një infrastrukturë bashkëkohore”, deklaroi kryetari Aliu, duke theksuar se rruga është vetëm një pjesë e investimeve të shumta në këtë zonë.

Ai shtoi se përveç kësaj rruge, janë investuar afro gjysmë milioni euro të tjera për zhvillimin e Zonës Ekonomike, me qëllim që në pranverën e ardhshme të fillojë funksionalizimi i saj dhe vendosja e bizneseve, që do të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm për Shtimen dhe rrethin.

Zona Ekonomike e Gllavicës shtrihet në rreth 37 hektarë dhe pritet të bëhet një nga zonat më të mëdha dhe më të rëndësishme industriale në rajon. /Telegrafi/