Zjarre të qëllimshme në Fier, Lushnjë dhe Delisufaj - policia arreston tre autorët

Policia ka arrestuar tre persona gjatë 24 orëve të fundit për zjarrvënie të qëllimshme ndërsa si pasojë e flakëve, janë rrezikuar edhe disa banesa.
Sipas njoftimit zyrtar, personat janë ndaluar në Fier, në Lushnjë, si dhe në fshatin Delisufaj, ku dy prej tyre janë kapur në flagrancë duke ndezur zjarr ndërsa nga flakët është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër.
Policia ka bërë të ditur edhe dinamikën e ngjarjeve dhe për cilat zjarrvënie konkretisht janë arrestuar këta 3 persona ku njëri prej tyre rezulton me precedent të mëparshëm për zjarrvënie dhe dhunë në familje.
“Është arrestuar F. B., 68 vjeç, banues në lagjen “Bishanak”, Fier pasi ai u kap në flagrancë duke ndezur zjarr përbri argjinaturës së lumit Gjanica. Gjithashtu, dyshohet se ka shkaktuar tri vatra të tjera zjarri në lagjen ku banonte. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.
Është arrestuar G. H., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në lagjen “18 Tetori”, për djegien e mbeturinave. Flakët, të cilat janë përhapur deri te ish-fusha e mbetjeve urbane, kanë rrezikuar banesa në këtë zonë.
Është arrestuar N. D., 62 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të banesës së tij, për djegien e mbeturinave. Flakët janë përhapur në një territor të konsiderueshëm të fshatit dhe kanë rrezikuar banesa”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

















































