Zhdukja e dy personave në Sarandë, reagon prokuroria

Prokuroria Sarandë ka reaguar në lidhje me zhdukjen prej disa javësh të shtetasve Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori në qytetin bregdetar.
Përmes një koumnikate për media, organi i akuzës bën me dije se në lidhje me rastin po vijon puna e prokurorëve me intensitet të lartë.
Prokuroria apelon ndaj mediave që mos të publikojnë informacione të cilat nuk I shërbëjnë zbardhjes së të vërtetës.
Gjithashtu, organi i akuzës vlerëson se nuk është as edhe në interesin publik, publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe që nuk janë shpërndarë ligjërisht nga autoritetet kompetente.
“Vlerësojmë se ekspozimi në media apo rrjetet sociale i deduksioneve personale nga cilido që mund të vijë në posedim të informacioneve të ndryshme të marra konfindecialisht nga persona që e përfitojnë informacionin për shkak të detyrës, jo vetëm që cënon rëndë veprimtarinë hetimore por i vendos edhe personat e ndryshëm të përfshirë ose jo në ngjarjen konkrete në situata jo reale dhe të panevojshme në raport me interesin e familjarëve të viktimave nga vepra penale, në raport me interesin publik por edhe në raport me vetë autoritetet hetimore.
Duke e mirëkuptuar interesin e mediave për informimin e publikut, organi i akuzës kërkon angazhimin e tyre për mosekspozimin e informacionit të paverifikuar dhe të panevojshëm me qëllim që ky interes të mos prevalojë mbi interesin e hetimeve të ngjarjes, por as edhe mbi sigurinë publike”, njoftoi prokuroria.
Kujtojmë se familjarët e dy personave të zhdukur në Sarandë, Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhorit mbajtën këtë të martë një protestë përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Me pankarta në duar, me fytyrat e dy personave të zhdukur, ata kërkuan një përgjigje nga policisë në lidhje me fatin e të afërmve të tyre. /Telegrafi/



































