Zgjidhet situata me kamionin e KRM “Pastrimi” në Arllat, rikthehet qarkullimi normal

Komuna e Drenasit ka njoftuar se është zgjidhur përfundimisht situata e krijuar prej ditësh në Arllat, ku një kamion i KRM “Pastrimi” kishte mbetur i bllokuar në një gropë pranë shkollës së fshatit.
Sipas njoftimit, pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës intensive të ekipit të KRM “Pastrimi”, kamioni është nxjerrë me sukses pa ndihmë të jashtme. Punëtorët e ndërmarrjes janë vlerësuar për durimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit.
Komuna bëri të ditur se ekipet e saj kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës dhe kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e disponueshme për të menaxhuar situatën.
Ndërkohë, pavarësisht kërkesave të bëra drejt Qendrës së Emergjencave, FSK-së dhe KFOR-it, nuk ka pasur ndërhyrje fizike në vendngjarje, megjithëse komunikimi ka qenë i rregullt.
Pas zgjidhjes së problemit, zona pranë shkollës është liruar tërësisht dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet. Komuna ka falënderuar qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin gjatë ditëve të bllokimit. /Telegrafi/


















































