Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua dje në Kiev me të dërguarin e presidentit amerikan Donald Trump, Keith Kellogg.

Ata diskutuan për dërgimin e armëve të reja, përfshirë sistemet Patriot, dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë, transmeton Telegrafi.


Takimi u shënua gjithashtu nga një dozë humori pavarësisht seriozitetit të situatës. Zelensky bëri shaka se vizitat e gjeneralit amerikan në Kiev janë sistemi më i mirë i mbrojtjes ajrore për kryeqytetin ukrainas.

"Sa herë që jeni në Kiev, njerëzit këtu më në fund kanë një shans për të fjetur. Do të doja që ju të udhëtoni nëpër të gjitha qytetet ukrainase", i tha Zelensky, Kellogg.

"Jam gati t'i jap shtetësinë Kellogg nëse kjo e bën Rusinë të ndalojë së shtënat", bëri shaka ai.

Përveç bisedës me gjeneralin amerikan, presidenti ukrainas shfrytëzoi gjithashtu rastin për të kritikuar Kinën. Ai theksoi se sulmet ruse mund të mos kishin ndodhur nëse Pekini do të kishte pasur përfaqësuesin e tij në Kiev, duke aluduar në rolin e Kinës në politikën globale dhe marrëdhënien e saj me Rusinë.

Takimi u përqendrua në zgjerimin e bashkëpunimit mbrojtës, me një theks të veçantë në financimin dhe prokurimin e sistemeve të përparuara të mbrojtjes ajrore.

“Palët diskutuan zgjerimin e iniciativës PURL për të financuar prodhimin dhe prokurimin e sistemeve Patriot, si dhe marrëveshjet dypalëshe mbi dronë dhe armë të propozuara nga Ukraina për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën zyrtare.

“Ukraina po mbështetet në një përgjigje pozitive nga pala amerikane”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/