Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Zef Morinën në pozitën e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Transportit.

Kryeministri Kurti e uroi Morinën për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të tij.

Kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), Zef Morina, kishte komentuar arsyet pas koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.


Ai tha se demokristianët, ndonëse parti aktive prej 35 vitesh, që nga viti 2010 nuk kanë qenë të përfaqësuar as në Kuvend e as në qeveri, gjë që sipas tij ka qenë nevojë të ndryshojë.

Duke folur për raportet me partnerët e dikurshëm, Morina tha se në katër palë zgjedhje PSHDK kishte qenë aleate e LDK-së, por, sipas tij, ajo nuk i kishte ndihmuar për të siguruar përfaqësim institucional.

“Në katër palë zgjedhje kemi qenë aleatë të LDK-së dhe ata nuk na ndihmuan të futemi në Kuvend e qeveri. Kësaj radhe organet e partisë vendosën të jemi me LVV-në, në mënyrë që të dëgjohet zëri i PSHDK-së dhe të jemi pjesë e institucioneve”, kishte deklaruar Morina në Debat Plus./Telegrafi/