Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu thotë se puna është duke u zhvilluar normalisht dhe volumi i punëve është i njëjtë edhe pas mocionit të djeshëm.

Kryeziu për RTV Dukagjini ka thënë se Kabineti Qeveritar është duke funksionuar si deri tani.

“Të gjithë ministrat e ngarkuar me detyrë për luftimin e pandemisë janë në krye të detyrës dhe të tillë do të jenë edhe ditët në vijim”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë shton më tej se asnjë vendim që lidhet me luftimin e pandemisë nuk do të preket as pas mocionit të mbrëmshëm dhe se ato vendime mbesin në fuqi.

“Vendimet mbesin në fuqi për aq kohë sa nuk ka ndonjë vendim tjetër që i shfuqizon ato apo i forcon ato. Qytetarët duhet t’i përmbahen këtyre vendimeve”.

Kryeziu u ka bërë thirrje edhe institucioneve tjera përgjegjëse që të zbatojnë vendimet e marra nga qeveria./Telegrafi/