Një balonë e supozuar përgjimi e vërejtur mbi SHBA-në është një “aeroplan civil me gaz” kinez, i cili kishte devijuar nga rruga e planifikuar, thotë Kina.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se balona, e parë mbi zona të ndjeshme ditët e fundit, ishte në fakt një pajisje “mbikëqyrjeje në lartësi të madhe”, transmeton Telegrafi.

Por në një deklaratë, ministria e jashtme e Kinës tha se ishte përdorur për qëllime “kryesisht meteorologjike”.

Kinës i “vjen keq për hyrjen e paqëllimshme” të balonës në hapësirën ajrore të SHBA-së, shtuan ata në deklaratë.

Objekti fluturoi mbi ishujt Aleutian të Alaskës dhe përmes Kanadasë përpara se të shfaqej mbi qytetin Billings në Montana të mërkurën, sipas zyrtarëve.

Reklama

Montana është shtëpia e disa prej kapanoneve të raketave bërthamore të SHBA-së.

Reklama

Shtetet e Bashkuara vendosën të mos e rrëzonin balonën për shkak të rrezikut të shkaktuar nga rënia e mbeturinave dhe përdorimit të kufizuar të çdo inteligjence që pajisja mund të mblidhte, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes.

Megjithatë, qeveria përgatiti avionë luftarakë në rast se objekti duhej të rrëzohej.

Sipas deklaratës kineze balona kishte dalë jashtë rrjedhës nga erëra të papritura. /Telegrafi/