Një bisedë tjetër mes ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, dhe homologut hungarez, Peter Szijjarto, është zbuluar kohët e fundit.

Më 2 korrik 2024, gjatë kësaj bisede ata diskutuan çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimi Evropian.


Dokumentet e zbuluara tregojnë se Hungaria po rridhte informacione të brendshme të BE-së drejt Kremlinit, përfshirë edhe formulime specifike që lidhen me statusin dhe të drejtat e minoriteteve kombëtare në Ukrainë.

Sipas materialeve të zbuluara, Szijjarto duket se po ndihmonte në praktikë Rusinë që të gjente një pretekst për të penguar negociatat e pranimit të Ukrainës.

Ai përdorte si justifikim pretendimet për “diskriminim ndaj minoriteteve kombëtare në Ukrainë,” duke shfrytëzuar këtë çështje si mjet politik për të bllokuar procesin e integrimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Ky zbulim tregon një nivel të lartë koordinimi mes disa zyrtarëve, ku informacionet e brendshme të BE-së shfrytëzoheshin për interesa gjeopolitike, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në çështjet e brendshme të unionit dhe të shteteve kandidate. /Telegrafi/