Liverpooli nuk arriti të bindë Luis Diazin për të nënshkruar kontratë të re, duke bërë që anësori kolumbian të largohet nga Anfield pas tre vite e gjysmë dhe të transferohet te Bayern Munich për 75 milionë euro.

Marrëveshja u finalizua të dielën, pas negociatave intensive mes dy klubeve.


28-vjeçari mori leje për t’u larguar nga turneu para-sezonal i Liverpoolit në Japoni, duke konfirmuar largimin e tij.

Bayern pranoi të paguaj 75 milionë euro për transferimin e lojtarit, duke shfrytëzuar dështimin e Reds për të siguruar rinovimin.

Megjithëse Liverpooli insistonte gjatë gjithë verës se Diaz nuk ishte në shitje dhe nuk do t’i ofrohej kontratë e re, raportohet se klubi bëri dy përpjekje të dështuara për ta zgjatur marrëveshjen.

“Kuptohet që kishte një hendek të pakapërcyeshëm midis ofertave të Liverpoolit dhe kërkesave të agjentit të Diaz”, theksoi Paul Joyce i The Times, duke shpjeguar shkakun kryesor të dështimit në negociata.

Paul Gorst nga The Echo shtoi se mungesa e urgjencës nga ana e Liverpoolit krijoi frustrim te lojtari dhe agjentët e tij: “Asnjë nxitim në diskutime”, i shtyu ata të kërkonin një ofertë më të mirë diku tjetër.

Luis Diaz fitonte rreth 140,000 funte në javë dhe i kishin mbetur edhe dy vite në kontratë. Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, Barcelona iu afrua Liverpoolit tri herë me oferta prej 60 milionë eurosh, por pa sukses. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app