Zbardhen porositë e Ramës për deputetët e Tiranës, detyrat që duhet të përmbushin

Euronews Albania ka mësuar porositë që kryeministri Rama u la deputetëve të qarkut Tiranë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të mbajtur në selinë rozë këtë të premte.
Burime bëjnë me dije se kryesocialisti u ka kërkuar deputetëve të Tiranës që, për dy javë, të evidentojnë problematikat e qytetit përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët. Pas këtij afati, deputetët do t’i paraqesin gjetjet e tyre në një tjetër takim.
Kryeministri ka kërkuar që bashkia e Tiranës të ketë një ndarje në 4 shtylla kryesore për të skanuar situatën ku përfshihen: hapësirat publike, parkingjet, shërbimet dhe lejet e ndërtimit.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se është bërë një ndarje paraprake e punës sipas çështjeve, ku Ogerta Manastirliu dhe Anuela Ristani do të jenë në krye grupit për hapësirat publike, për çështjet e trafikut do të jetë në krye Blendi Gonxhja dhe Enton Punavija, për burimet e bashkisë Arbjan Mazniku dhe Anuela Ristani si edhe për çështjet e financave do të jenë ministrat Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj.
Sa i takon zgjedhje në bashkinë e Tiranës, Rama mësohet të ketë thënë se “nuk po e bëjmë këtë gjë për të menduar se do ketë zgjedhje apo jo por sepse na besuan qytetarët.
Prej 10 shkurtit kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj është në burg dhe bashkia është me drejtuese të komanduar.


















































