Ylli i Man Utd po kërkon largimin në janar shkaku i pakënaqësive me trajnerin

Joshua Zirkzee thuhet se është i dëshpëruar të largohet nga ‘Old Trafford’ në afatin kalimtar të janarit, pasi frustrimi i tij është rritur ndjeshëm për shkak të mungesës së minutazhës nën drejtimin e Ruben Amorim këtë sezon.
Sulmuesi holandez ka luajtur vetëm në tre ndeshje të Ligës Premier gjatë sezonit 2025/2026 dhe ende nuk ka qenë titullar në asnjë prej tyre.
Zirkzee nuk mund të përballojë të përdoret kaq rrallë nga Amorim, pasi dëshiron të mbetet në garë për një vend në Kombëtaren e Holandës për Kupën e Botës 2026 që zhvillohet verën e ardhshme.
Ai ka dështuar të marrë një ftesë nga përzgjedhësi Ronald Koeman në listën e fundit të Holandës për ndeshjet kualifikuese të tetorit dhe, për këtë arsye, tashmë po kërkon një largim në afatin e janarit, sipas Daily Mail.

24-vjeçari kishte tërhequr interes nga gjigantët e Serie A, Juventus dhe Napoli gjatë verës, por Manchester United kishte refuzuar të dyja ofertat.
Me Rasmus Hojlund që kaloi te Napoli, mbetet e paqartë nëse ‘Djajtë e Kuq’ do të lejojnë largimin e një tjetër sulmuesi.
The Sun raportoi javën e kaluar se trajneri i Comos, Cesc Fabregas, ka shprehur interes për holandezin, ndërsa klubi italian synon të forcojë repartin ofensiv dhe të shtyjë drejt pjesës së sipërme të tabelës në Serie A./Telegrafi/





















































