WSJ: Dialogu do të vazhdojë së shpejti

Duke iu referuar një diplomati të lartë evropian, gazeta e New Yorkut shkruan se bisedimet do të përtëriten së shpejti.
“Data ende nuk është caktuar, por praktikisht jemi aty dhe bisedime do të ketë”, tha bashkëbiseduesi i WSJ.
Gazeta amerikane vlerëson se që nga takimet e fundit ndërmjet përfaqësuesve të ekipeve negociatore në Bruksel janë shtuar tensionet.
“Serbia ka votuar për Nikolicin president, i cili anon nga nacionalizimi, dhe Dacicin kryeministër, zëdhënës i dikurshëm i Slobodan Milosevicit. Ekziston skepticizmi ndaj përkushtimit të tyre për atë që Brukseli e quan ‘proces i normalizimit të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës”, thuhet në tekstin e WSJ, transmeton Koha.net.
Megjithëkëtë, sipas WSJ, Nikolic dhe Dacic kanë dërguar sinjale pozitive, duke iu referuar fjalëve të Nikolicit në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, dhe duke shtuar se pa një normalizim të tillë Serbia s’mund të presë të marrë ftesën për përafrim-kandidim në BE.
E ngjashme është situata edhe me Kosovën, vlerëson WSJ, duke përmendur faktin se Prishtina më 10 tetor do të duhet të merrte studimin e fizibilitetit nga BE-ja.
“Ky është hapi i parë drejt procesit shpesh të gjatë të kërkimit të anëtarësimit në BE. Ngecja në raportet me Beogradin këtë proces do të mund ta zgjaste edhe më shumë”, përfundon tekstin gazeta amerikane. /Telegrafi/



















































