LAJMI I FUNDIT:

Vritet një grua dhe plagoset një i mitur në Ferizaj, arrestohet i dyshuari

Vritet një grua dhe plagoset një i mitur në Ferizaj, arrestohet i dyshuari

Një grua është vrarë dhe një i mitur ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Mësohet se dorasi është ish-bashkëshorti i viktimës, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes. 

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.

“Më datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, tha Veseli.


Tutje, ai shtoi se i dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur.

“Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje”.

“Ekipe të hetuesve dhe krimteknikët janë në vendin e ngjarjes të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, theksoi Veseli.

Telegrafi nga burimet e veta në Prokurori, ka mësuar se i dyshuari për vrasje është ish-bashkëshorti i viktimës. /Telegrafi/