Engjëll Cani, babai i Martin Canit, ka komentuar vendimin e gjykatës që dënoi me 16 vite burg autorin e vrasjes së djalit të tij, duke e konsideruar atë si “një rreze drejtësie”.

“Është një rreze drejtësie sepse ngjarja ishte e paramenduar dhe kishte dy viktima. Pavarësisht se Luizi shpëtoi nga mrekullia e Zotit, ligji për të mitur në Shqipëri e përgjysmon dënimin, kështu që nga 32 vite u bë 16,” tha Cani për A2CNN.


Babai i Martin Canit i dha mesazh edhe prindërve të adoleshentëve, duke i këshilluar të jenë sa më afër fëmijëve dhe të krijojnë lidhje të forta me ta.

“Në rastin tim nuk ishte çështje e mungesës së kujdesit. Unë isha shumë i lidhur me Martinin dhe e ndiqja çdo ditë. Edhe bashkëshortja ime, që është mësuese, ishte gjithmonë në kontakt me të. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse ngjarja ndodhi te porta e shkollës. Nëse do të na kishte njoftuar më herët, mund të kishim shpëtuar jetën e tij,” shtoi Cani. Ai theksoi se konflikti kishte ndodhur mes dy nxënësve të të njëjtës shkollë dhe nuk kishte lidhje me rrjetet sociale, pasi Martini nuk ishte përdorues i TikTok-ut.

Cani gjithashtu kritikoi mungesën e masave pas ngjarjes tragjike dhe rritjen e dhunës në shkolla. “Më thoni një masë që është marrë. Deri tani kemi pasur 5-6 raste të tjera.

Rasti më i freskët ishte para një jave. Ne kemi dalë dhe kemi protestuar për të gjithë fëmijët shqiptarë. Në Shqipëri çdo gjë është e mundur.

Mësimi ka vazhduar normalisht të nesërmen, si për Martinin ashtu edhe për Erjonin, djalin tjetër që u vra në Durrës. Konfliktet ndodhin çdo ditë në shkolla,” deklaroi ai.