LAJMI I FUNDIT:

Vladimir Putini rri ulur në majën e piramidës së shembur të pushtetit

Vladimir Putini rri ulur në majën e piramidës së shembur të pushtetit
Murali që paraqet kopertinën e triulluar të revistës “Time” që portretizon fytyrën e presidentit rus Valdimir Putin me shenjë lindjeje në kokë, në formën e Ukrainës, duke iu referuar kështu shenjës së lindjes së Michail Gorbachevit

Vladimir Sorokin, shkrimtar dhe dramaturg rus / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Qëllimi përfundimtar i Putinit nuk është Ukraina, por qytetërimi perëndimor …

Më 24 shkurt, mburoja e “autokratit të përndritur” – që kishte strehuar Vladimir Putin në 20 vjetët e mëparshme – u ça dhe u bë copë-copë. Bota e pa një përbindësh të çmendur në dëshirat e tij e të pamëshirshëm në vendimet e tij. Përbindëshi u rrit gradualisht, duke marrë forcë nga viti në vit, duke u pjekur në autoritetin e tij absolut, në agresionin perandorak, në urrejtjen për demokracinë perëndimore dhe ligësinë e nxitur nga pakënaqësia e shkaktuar nga rënia e BRSS-së. Evropa tani duhet të merret jo me ish-Putinin, por me Putinin e ri i cili e hodhi mënjanë maskën e tij të “partnerit në biznes” dhe të “bashkëpunëtorit paqësor”. Nuk do të ketë kurrë më paqe me të. Si dhe pse ka ndodhur kjo?


Në filmin e fundit të trilogjisë “The Lord of the Rings” të Peter Jacksonit, kur Frodo Baggins duhet të hedhë në llavën përvëluese Unazën e mallkuar të Fuqisë, atë unazën që u ka sjellë shumë vuajtje dhe luftë banorëve të Tokës së Mesme, papritmas vendos ta mbajë për vete. Dhe, me vullnetin e unazës, fytyra e tij befas nisë të ndryshojë duke u bërë e lig dhe e keqe. Unaza e Fuqisë e kishte marrë atë në zotërim të plotë. Megjithatë, në librin e Tolkienit ka një fund të lumtur …

Kur Putini u vendos në fronin e pushtetit rus nga një Boris Yeltsin i sëmurë, më 1999, fytyra e tij ishte mjaft simpatike, madje tërheqëse, ndërsa retorika e tij ishte shumë e shëndoshë. Shumëkujt iu duk se njeriu që ngjitej në majat e piramidës ruse të pushtetit ishte zyrtar inteligjent pa krenari dhe arrogancë dhe një individ modern që e kuptonte se Rusia post-sovjetike kishte vetëm një rrugë të mundshme për të ardhmen: demokracinë. Foli jo pak për demokracinë në intervistat e tij të asaj kohe, duke ua premtuar qytetarëve të Federatës Ruse vazhdimin e reformave, zgjedhjet e lira, lirinë e fjalës, respektimin e të drejtave të njeriut nga autoritetet, bashkëpunimin me Perëndimin dhe, më e rëndësishmja, një rotacioni të vazhdueshëm të atyre që janë në pushtet.

“Nuk e kam ndërmend të lidhem për këtë karrige”, ka thënë ai.

Në Rusi, siç e dinë të gjithë, njerëzit ende besojnë te fjalët dhe paraqitjet e qëndisura të sundimtarëve. E, në atë kohë, ky njeri ishte “individ i këndshëm në çdo aspekt”, siç shkroi Nikolai Gogol për protagonistin e tij te “Shpirtrat e vdekur”: i hapur për diskutim, i gatshëm t’i kuptojë të gjithë, serioz e jo pa humor apo aftësi që të bëjë shaka me veten.

Për më tepër, disa politikanë, intelektualë dhe teoricienë politikë të cilët tash janë kundërshtarë të ashpër të Putinit e të sistemit të tij, e mbështetën atë; disa prej tyre madje kaluan nëpër dyert e shtabit të fushatës së tij për ta ndihmuar që t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme. Dhe, ia doli. Por, Unaza fatale e Fuqisë ruse tashmë ishte në gishtin e tij dhe po e kryente punën e vet tinëzare: një përbindësh perandorak nisi ta zë vendin e këtij individi të pashëm e të këndshëm.

Në Rusi pushteti është piramidë. Kjo piramidë u ndërtua nga Ivani i Tmerrshëm në shekullin XVI – një car ambicioz, brutal e i pushtuar nga paranoja e shumë vese tjera. Me ndihmën e ushtrisë së tij personale – opriçnina – e ndau në mënyrë mizore dhe gjakatare shtetin rus në pushtet dhe në njerëz, miq dhe armiq, e hendeku mes tyre u bë hendeku më i thellë. Miqësia e tij me Hordhinë e Artë e bindi se e vetmja mënyrë për të sunduar gjigantin e Rusisë ishte duke u bërë pushtues i kësaj zone të madhe. Pushteti zotërues duhej të ishte i fortë, mizor, i paparashikueshëm dhe i pakuptueshëm për njerëzit. Populli nuk duhet të ketë zgjidhje tjetër veçse t’i bindet dhe ta adhurojë. Dhe, një person i vetëm ulet në majën e kësaj piramide të errët; një person i vetëm zotëron pushtetin absolut dhe të drejtën për të gjithë.

Në mënyrë paradoksale, parimi i fuqisë ruse nuk ka ndryshuar shumë në pesë shekujt e fundit. E konsideroj këtë si tragjedinë kryesore të vendit tonë. Piramida jonë mesjetare ka qëndruar lartë gjatë gjithë asaj kohe; sipërfaqja e saj ka ndryshuar, por kurrë forma bazike. Dhe, ka qenë gjithmonë një sundimtar i vetëm rus i ulur në kulmin e saj: Pjetri I, Nikolla II, Stalini, Brezhnevi, Andropovi … Sot Putini është ulur në kulmin e saj për më shumë se 20 vjet. Pasi ka shkelur premtimin e vet ai lidhet për karrige me gjithë fuqinë e tij. Piramida e Pushtetit e helmon sundimtarin me autoritet absolut. Lëshon dridhje arkaike mesjetare te sundimtari dhe te brezi i tij, mbase duke u thënë: “Jeni zotërit e një vendi integriteti i të cilit mund të ruhet veç me dhunë dhe me mizori; bëhu i padepërtueshëm, si unë, aq edhe mizor e i paparashikueshëm, se çdo gjë të lejohet, se duhet të shkaktosh tronditje dhe frikë te popullata jote, se populli nuk duhet të të kuptojë, por duhet të ta ketë frikën”.

Mjerisht, Jelcini i cili erdhi në pushtet në kulmin e valës së Perestrojkës, nuk e shkatërroi formën mesjetare të piramidës; thjesht e rinovoi sipërfaqen e saj – në vend të betonit të zymtë sovjetik u bë shumëngjyrëshe dhe u mbulua me tabelat që reklamonin mallra perëndimore. Piramida e Fuqisë i përkeqësoi tiparet më të këqija të Jelcinit: u bë i pasjellshëm, ngacmues dhe alkoolik. Fytyra e tij u kthye në maskë të rëndë e të palëvizshme të arrogancës së paturpshme. Nga fundi i sundimit të tij, Jelcini e nisi një luftë të pakuptimtë në Çeçeni kur ky vend vendosi të shkëputej nga Federata Ruse. Piramida e ndërtuar nga Ivani i Tmerrshëm arriti të zgjonte imperialistin edhe te Jelcini, një demokrat ky jetëshkurtër: si car rus dërgoi tanke dhe bombardues në Çeçeni duke e dënuar popullin çeçen me vdekje dhe me vuajtje.

Jelcini dhe krijuesit tjerë të Perestrojkës që e rrethonin, jo vetëm që nuk e shkatërruan Piramidën e mbrapshtë të Pushtetit, por nuk e varrosën as të kaluarën sovjetike – ndryshe nga gjermanët e pasluftës që varrosën kufomën e nazizmit të tyre në vitet 1950. Kufoma e këtij përbindëshi që kishte asgjësuar dhjetëra miliona qytetarë të vet e që e kishte kthyer vendin 70 vjet pas në të kaluarën, u mbështet në një cep: do të kalbet vetë, menduan ata. Por, doli se nuk kishte vdekur.

Pas ardhjes në pushtet, Putini nisi të ndryshojë. Dhe, ata që fillimisht e mirëpritën sundimin e tij, gradualisht e kuptuan se këto ndryshime nuk ishin të mira për Rusinë. Kanali televiziv NTV u shkatërrua, kanalet tjera nisën të kalonin në duart e bashkëpunëtorëve të Putinit pas së cilës gjë hyri në fuqi regjimi i censurës së rreptë: tash e tutje Putini nuk prekej nga kritikat.

Mikhail Khodorkovsky, kreu i kompanisë më të pasur e më të suksesshme në Rusi, u arrestua dhe u burgos për 10 vjet. Kompania e tij “Yukos” u grabit nga miqtë e Putinit. Ky “operacion special” u krijua për t’i frikësuar oligarkët tjerë. Kjo edhe ndodhi: disa prej tyre u larguan nga vendi e pjesa tjetër u betuan për besnikëri ndaj Putinit. Disa madje u bënë financues të tij.

Piramida e Fuqisë vibronte dhe dridhjet e saj e ndalën kohën. Si një ajsberg i madh, vendi po lundronte nëpër të kaluarën – fillimisht te e kaluara sovjetike, pastaj te e kaluara mesjetare.

Putin deklaroi se rënia e BRSS-së ishte katastrofa më e madhe e shekullit XX. Për gjithë njerëzit sovjetikë me mendje të shëndoshë, rënia ishte veçse bekim; ishte e pamundur ta gjeje një familje të vetme të padëmtuar nga Rrota e Kuqe e represioneve staliniste. Miliona u asgjësuan. Dhjetëra miliona u helmuan nga tymrat e komunizmit – qëllim i paarritshëm që kërkon sakrifica morale dhe fizike nga qytetarët sovjetikë. Por, Putini nuk arriti ta tejkalonte oficerin e KGB-së brenda tij; oficerin që ishte mësuar se BRSS-ja ishte shpresa më e madhe për përparimin e njerëzimit dhe se Perëndimi ishte armik i aftë vetëm për korrupsionin. Duke e vënë në lëvizje makinën e tij kohore drejt të kaluarës, dukej sikur po kthehej në rininë sovjetike ku ndjehej shumë rehat. Gradualisht i detyroi të gjithë nënshtetasit e tij të kthehen atje.

Perversiteti i Piramidës së Pushtetit qëndron në faktin se ai që ulet në kulmin e saj e transmeton gjendjen e tij psikosomatike për gjithë popullsinë e vendit. Ideologjia e putinizmit është mjaft eklektike; respekti për sovjetikën rri krah për krah me etikën feudale – Leninin që ndan shtratin me Rusinë cariste dhe me krishterimin ortodoks rus.

Filozofi i preferuar i Putinit është Ivan Ilini – monarkist, nacionalist rus, antisemit dhe ideolog i Lëvizjes së Bardhë që u dëbua nga Lenini prej Rusisë Sovjetike në vitin 1922 dhe që e përfundoi jetën në mërgim. Kur Hitleri erdhi në pushtet në Gjermani, Ilini e uroi përzemërsisht për “ndërprerjen e bolshevizimit të Gjermanisë”. “Refuzoj kategorikisht të vlerësoj ngjarjet e tre muajve të fundit në Gjermani nga këndvështrimi i hebrenjve gjermanë … Hipnoza liberal-demokratike e mosrezistencës është hedhur poshtë …”, shkroi ai. Megjithatë, kur Hitleri deklaroi se sllavët ishin racë e klasit të dytë, Ilini u ofendua dhe Gestapoja shpejt e çoi në paraburgim për kritikat që nisi t’i bënte. Më pas ai u shpëtua nga Sergei Rahmaninovi dhe u nis për në Zvicër.

Në artikujt e tij Ilini shpresonte se, pas rënies së bolshevizmit, Rusia do ta kishte Fyhrerin e vet të madh i cili do ta çonte vendin nga gjunjët. Në të vërtetë, “Rusia që çohet nga gjunjët” është slogani i preferuar i Putinit dhe i putinistëve të tij. Nga Ilini i merr gjithashtu udhëzimet kur flet me përbuzje për një shtet ukrainas “të krijuar nga Lenini”. Në fakt, Ukraina e pavarur nuk u krijua nga Lenini, por nga Rada Qendrore në janar 1918, menjëherë pas shpërbërjes së Asamblesë Kushtetuese nga Lenini. Ky shtet u ngrit për shkak të agresionit të Leninit, por jo falë përpjekjeve të tij. Ilini ishte i bindur se nëse, pas bolshevikëve, autoritetet në Rusi “bëhen antikombëtare dhe antishtetërore, servile ndaj të huajve, për ta copëtuar vendin, për t’u bërë patriotikisht joparimorë, duke mos mbrojtur ekskluzivisht interesat e kombit të madh rus pa i marrë parasysh rusët e vegjël kurva [ukrainasit] të cilëve Lenini ua dha shtetësinë, atëherë revolucioni nuk do të përfundonte po do të hynte në fazën e re të zhdukjes nga dekadenca perëndimore”.

“Nën Putinin, Rusia u çua nga gjunjët”, mbështetësit e tij shpesh brohorasin. Dikush një herë bëri shaka: vendi u ngrit nga gjunjët, por shpejt u ul në katër këmbë: korrupsion, autoritarizëm, arbitraritet burokratik dhe varfëri. Tani mund të shtojmë një tjetër: luftën.

Shumë gjëra kanë ndodhur në 20 vjetët e fundit. Fytyra e presidentit të Federatës Ruse është shndërruar në maskë të padepërtueshme që rrezaton mizori, zemërim dhe pakënaqësi. Instrumenti i tij kryesor i komunikimit është gënjeshtra – gënjeshtra të vogla dhe të mëdha, naivisht sipërfaqësore dhe shumë të strukturuara, gënjeshtra që duket se u beson vetë ai dhe gënjeshtrat që nuk u beson. Rusët tashmë janë mësuar me retorikën e presidentit të tyre të mbushur me gënjeshtra. Por, tani i ka tërhequr edhe evropianët në ato gënjeshtra. Një tjetër kryetar i një vendi evropian fluturon në Kremlin për ta dëgjuar pjesën tradicionale të gënjeshtrave fantastike (tani në një tryezë të madhe, krejtësisht paranojake), për të tundur kokën, për të thënë se “dialogu doli të ishte mjaft konstruktiv”, në një konferencë për shtyp, e pastaj thjesht të fluturojë larg nga aty.

Merkel pranoi se, sipas saj, Putin jeton në tokën e tij të fantazisë. Nëse është kështu, çfarë kuptimi ka të merreni seriozisht me një sundimtar të tillë? Ai nuk është shkrimtar apo artist; ai duhet të jetojë në botën reale dhe të jetë përgjegjës për çdo fjalë të tij. Për 16 vjet, Merkel – e cila u rrit në Republikën Demokratike Gjermane, për çka duhet të kuptojë natyrën e vërtetë të Putinit – “ka krijuar një dialog”. Rezultatet e atij dialogu: kapja e disa territoreve në Gjeorgji, aneksimi i Krimesë, kapja e Republikës Popullore të Donetskut dhe të Luhanskit, e tani: luftë në shkallë të gjerë me Ukrainën. Pas luftës me Gjeorgjinë dhe pushtimit të territoreve të saj, “paqebërësi” Obama i ofroi Putinit … rivendosjen e marrëdhënieve mes tyre! Që do të thotë, hajde Vladimir, le t’i harrojmë të gjitha këto e t’ia nisim nga e para. Rezultati i kësaj “rivendosjeje” ishte aneksimi i Krimesë dhe lufta në Ukrainën Lindore.

Përbindëshi i brendshëm i Putinit nuk u rrit vetëm nga Piramida jonë e Fuqisë dhe nga elita e korruptuar ruse së cilës Putini, si cari i satrapëve, u hedh nga tryeza e tij copa të majme e të lëngshme korrupsioni.

U zhvillua edhe nga miratimi i politikanëve të papërgjegjshëm perëndimorë, biznesmenëve cinikë dhe gazetarëve e politologëve të korruptuar.

“Një sundimtar i fortë dhe i qëndrueshëm”! Kjo i magjepsi ata. “Një car i ri rus” ishte, për ta, diçka si vodka dhe havjari rus: gjallërues!

Gjatë kësaj periudhe kohore, takova shumë admirues të Putinit në Gjermani, që nga shoferët e taksive, biznesmenë dhe profesorë. Një pjesëmarrës i moshuar i revolucionin studentor të 1968-ës rrëfeu:

“Më pëlqen shumë Putini juaj”!

“E cila është arsyeja”?

“Është i fortë. E thotë të vërtetën. Dhe, është kundër Amerikës. Jo si ligavecët që kemi këtu”.

“E, a nuk ju shqetëson fakti që në Rusi ka korrupsion monstruoz, se praktikisht nuk ka zgjedhje apo gjykata të pavarura, se opozita po shkatërrohet, se provincat janë varfëruar, se Nemtsovi është vrarë dhe se televizionet janë bërë propagandë”?

“Jo. Ato janë punët tuaja të brendshme. Nëse rusët i pranojnë të gjitha këto dhe nuk protestojnë, kjo do të thotë se e pëlqejnë Putinin”.

Logjikë e hekurt. Përvoja e Gjermanisë në vitet 1930 nuk duket se u ka mësuar gjë evropianëve të tillë.

Por, shpresoj se shumica e evropianëve nuk janë të tillë. Se e dinë dallimin mes demokracisë dhe diktaturës – mes luftës dhe paqes. Në fjalimin e tij plot gënjeshtra, Putini e quajti sulmin ndaj Ukrainës “operacion special ushtarak” kundër “agresorëve ukrainas”. Që do të thotë: Rusia paqedashëse fillimisht aneksoi Krimenë nga “junta ukrainase”, më pas nisi një luftë hibride në Ukrainën lindore dhe tani po e sulmon gjithë vendin. Pak a shumë si Stalini me Finlandën më 1939.

Për Putinin, jeta gjithmonë ka qenë operacion special. Nga urdhri i zi i KGB-së mësoi jo vetëm përbuzjen për njerëzit “normalë” – gjithmonë një formë të materies së harxhueshme për shtetin molok sovjetik – por edhe parimin kryesor të çekizmit: asnjë fjalë të vetme të vërtetë. Gjithçka duhet të fshihet, të klasifikohet. Jeta e tij personale, të afërmit, zakonet – gjithçka ka qenë gjithmonë e fshehur, e tejmbushur me thashetheme dhe spekulime.

Tani një gjë është bërë e qartë: me këtë luftë Putini ka kaluar një vijë – një vijë të kuqe. Maska është fikur, mburoja e “autokratit të përndritur” është plasaritur. Tashmë të gjithë perëndimorët që e simpatizojnë “carin e fortë rus” duhet ta mbyllin gojën e të kuptojnë se një luftë në shkallë të gjerë po shpaloset në Evropën e shekullit XXI. Agresor është Rusia e Putinit. Kjo nuk do të sjellë gjë tjetër përveç vdekjes dhe shkatërrimit në Evropë. Këtë luftë e ka nisur një njeri i korruptuar nga pushteti absolut i cili, në çmendurinë e vet, ka vendosur të rivizatojë hartën e botës sonë. Nëse e dëgjoni fjalimin e Putinit duke e shpallur “operacionin special”, Amerika dhe NATO përmenden më shumë se Ukraina. Le ta kujtojmë gjithashtu “ultimatumin” e tij të fundit drejtuar NATO-s. Si i tillë, qëllimi i tij nuk është Ukraina, por qytetërimi perëndimor urrejtja për të cilin u josh nga qumështi i zi që pinte nga gjiri i KGB-së.

Kush e ka fajin? Ne, rusët. Dhe, tash duhet ta mbajmë këtë faj derisa regjimi i Putinit të bie. Sepse, me siguri do të shembet dhe sulmi ndaj Ukrainës së lirë është fillimi i fundit.

Putinizmi është fatkeqësi, sepse është armik i lirisë dhe armik i demokracisë. Më në fund, sot, njerëzit e kanë kuptuar këtë. E sulmoi një vend të lirë dhe demokratik veç sepse është një vend i lirë dhe demokratik. Por, është ai vet që është fatkeq, sepse bota e lirisë dhe demokracisë është shumë më e madhe se strofulla e tij e errët dhe e zymtë. Fatkeq sepse e tëra që ai dëshiron është një mesjetë e re, korrupsion, gënjeshtra dhe nëpërkëmbje e lirive njerëzore. Sepse ai është e kaluara. E, ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta bërë të mundshme atë që ky përbindësh të qëndrojë atje – në të kaluarën, përgjithmonë, së bashku me Piramidën e tij të Fuqisë. /Telegrafi/

Vladimir Putini – udhëheqësi zemërak i Rusisë po e çon botën në luftë
Lexo po ashtu Vladimir Putini – udhëheqësi zemërak i Rusisë po e çon botën në luftë

Në trend

Më shumë
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Përfaqësuesja e Kosovës
Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun Mickoski

Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun Mickoski

Lajme
Tre vendet nordike shpërndajnë broshura për qytetarët se si t'i mbijetojnë luftës

Tre vendet nordike shpërndajnë broshura për qytetarët se si t'i mbijetojnë luftës

Evropa
Zogaj: LDK dhe Lumir Abdixhiku janë alternativa më e mirë për Kosovën, nuk është demagog por profesional

Zogaj: LDK dhe Lumir Abdixhiku janë alternativa më e mirë për Kosovën, nuk është demagog por profesional

Politikë
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Botë

" Mos më thuaj mua nuk guxon" - Xheneta ia thyen pakot e proteinave Drilonit

Magazina
Kalo në kategori