Vinicius Junior ka folur për marrëdhënien e tij me Kylian Mbappe, duke hedhur poshtë çdo aludim për tension mes tyre pas transferimit të francezit te Real Madridi në verën e vitit 2024.

Braziliani pranoi se ardhja e Mbappes solli ndryshime në dinamikën e skuadrës, por nënvizoi se raporti mes tyre është i shkëlqyer, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.


Në një intervistë të fundit, Vinicius zbuloi se ka qenë prej vitesh një nga zërat që ka shtyrë për transferimin e Mbappes në “Santiago Bernabeu”.

“Çdo verë i shkruaja: ‘Kur po vjen?’ Kam vepruar si agjent”, u shpreh ai me humor, duke treguar se dëshira për të luajtur përkrah më të mirëve ka qenë gjithmonë prioritet i tij.

Sipas sulmuesit brazilian, bashkëpunimi me lojtarë të nivelit të lartë rrit shanset për trofe dhe forcon ambiciet e klubit.

Vinicius theksoi gjithashtu rëndësinë e harmonisë brenda grupit, sidomos në një skuadër me pritshmëri të larta si Real Madridi.

“Ne kalojmë më shumë kohë me njëri-tjetrin sesa me familjet tona. Duhet të kemi një marrëdhënie të mirë”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se bashkëpunimi dhe mirëkuptimi janë thelbësore për suksesin.

Forma e tij në javët e fundit është parë si një sinjal pozitiv edhe për funksionimin e repartit ofensiv, ku partneriteti me Mbappen pritet të jetë vendimtar në fazën më të rëndësishme të sezonit.

Në një moment kur e ardhmja e brazilianit vazhdon të diskutohet, mesazhi i tij është i qartë, ai dëshiron të fitojë dhe ta bëjë këtë përkrah më të mirëve, me Mbappen në qendër të projektit. /Telegrafi/

telegrafi sport app