Viktor Gyokeres i jep fund lidhjes me Ines Aguiar, nuk do që asgjë ta lidhë me Portugalinë

Futbollisti suedez Viktor Gyokeres duket se po përjeton dy ndarje njëherësh.
Sulmuesi i Sporting CP, i cili ka ngjallur interes nga Arsenali dhe Manchester United në tregun e transferimeve, ndërsa kërkon të largohet nga klubi i tij aktual, raportohet se i ka dhënë fund lidhjes me të dashurën portugeze Ines Aguiar, teksa synon të shkëputë çdo lidhje me Portugalinë.
“Viktori nuk do që ta lidhë asgjë me Portugalinë, veçanërisht pasi tashmë ka vendosur që nuk do të vazhdojë më te Sporting sezonin e ardhshëm”, ka treguar një burim për median portugeze TV Guia.

Çifti filloi lidhjen në vitin 2024, ndërsa spekulimet për ndarje nisën kur Aguiar nuk e shoqëroi atë në dasmën e shokut të skuadrës Morten Hjulmand, sipas The Sun.
Pas kësaj, Gyokeres shkoi me pushime në Mykonos, ndërsa Aguiar udhëtoi drejt Formenterës, në Spanjë.

Gyokeres ka qenë i lidhur gjatë verës me një kalim të mundshëm në Premier League, pasi ka shënuar 97 gola në dy sezone.
Presidenti i klubit, Frederico Varandas, deklaroi muajin e kaluar se Sporting nuk ka marrë asnjë ofertë për Gyokeres, i cili është nën kontratë deri në vitin 2028 dhe ka një klauzolë lirimi prej 115.5 milionë dollarësh.

Mes raportimeve për mospërputhje në lidhje me shumën e klauzolës së tij, Gyokeres shkroi në rrjetet sociale.
“Po flitet shumë për momentin, por shumica nuk janë të vërteta. Do të flas kur të vijë koha e duhur”.

Gyokeres iu bashkua Sporting CP në vitin 2023 me një kontratë pesëvjeçare, pas tre sezonesh te Coventry City, ku luajti që nga viti 2021.
Ai shënoi 39 gola dhe dha 9 asistime në sezonin 2024-25. /Telegrafi/






























































