Vetëm një ditë pauzë dhe rikthehen emocionet e Ligës së Parë të Maqedonisë

Pas ndeshjeve interesante të javës së kaluar që u mbyll të enjten, kampionati në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut vazhdon pa shumë pushim, njofton Telegrafi.
Skuadrat tashmë janë të fokusuara te përballjet e javës së 22-të, të cilat pritet të sjellin emocione të reja, sidomos me Shkëndijën dhe Vardarin që vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes këtë sezon.
Gara për titull është bërë edhe më e nxehtë pas fitores së madhe që Shkëndija arriti të enjten në Shkup ndaj Vardarit me rezultat 0-1. Me këtë triumf, tetovarët kanë ngushtuar diferencën në vetëm një pikë nga lideri i tabelës dhe tani çdo ndeshje deri në fund të sezonit merr peshë të madhe në luftën për kreun.
Ndërkohë, edhe skuadrat tjera shqiptare synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive. Struga dhe Shkupi do të përballen në një duel ku fituesi dihet ende pa nisur ndeshja, duke e ditur që Shkupi tashmë këtë sezon po luan me futbollist nga akademia, shkaku i problemeve financiare dhe organizative. Bashkimi kërkon të vazhdojë formën e mirë pas fitores së rëndësishme në javën e kaluar.
Java e 22-të e kampionatit nis të shtunën dhe do të shtrihet deri të martën, me disa përballje që mund të ndikojnë ndjeshëm në renditjen tabelare, si në luftën për titull ashtu edhe në pjesën e mesit të tabelës. /Telegrafi/
Dyshet e javës së 22-të:
Struga – Shkupi (07.03.2026) - 13:00
Bashkimi – Makedonija Gj.P (08.03.2026) - 14:00
Tikveshi – Pelisteri (08.03.2026) - 14:00
Shkëndija – AP Brera (09.03.2026) - 14:00
Sileksi – Vardari (09.03.2026) - 14:00
Rabotniçki – Arsimi (10.03.2026) - 14:00




















































