Vetëm dy veta e kundërshtuan Enver Hoxhën ballë për ballë - Ramadan Çitaku dhe Pilo Peristeri!

Nga: Ahmet Xhavit Delvina (fragment nga libri Enigma e një epoke)
Enver Hoxha ishte një sadist i paimagjinueshëm, një vampir i paskrupullt që tallej e zbavitej me vartësit e tij, apo bashkëpunëtorët e zellshëm “revolucionarë” që punonin me të, për t’i ndërruar faqen këtij vendi, d.m.th., për ta bërë Shqipërinë “Parajsë të vërtetë”. Ai, pas një periudhe kohore, këtyre bashkëpunëtorëve iu merrte jetën në mënyrat më të turpshme e më ç’njerëzore! Por, populli asnjëherë nuk është njohur me bëmat e tij, apo poshtërimet që ai iu bënte këtyre bashkëpunëtorëve udhëheqës. Ai, nëpërmjet kongreseve, plenumeve, gjyqeve, shtypit, historisë, deri edhe letërsisë artistike, figurat e tyre i trajtonte si të kishte qejf. Ai këta i paraqiste si burracakë, injorantë, imoralë dhe iu vinte shumë emërtesa të tjera, ashtu si t’i interesonte atij, në asnjë rast nuk u pasqyrua e vërteta për ta, kështu që populli këtë taktikë të tijën, nuk e zbërtheu kurrë dhe nuk e mësoi asnjëherë të vërtetën.
Unë, siç e kam trajtuar rreth këtyre bëmave të Enver Hoxhës, kam patur biseda konfidenciale me daiun tim Esat Dishnica, i cili ishte lidhur me të që në Liceun e Korçës e deri në fund të jetës. Esati ka qenë krye miku unikal i tij, apo më mirë, “si vëllezër binjakë”, dhe këtë nuk e them vetëm unë, apo ne si familjarë, por edhe të gjithë ata që kanë patur dijeni rreth marrëdhënieve të tyre reciproke. Ata nuk u ndanë për asnjë rast. Kjo ishte një çudi shumë e veçantë apo, siç thoshte babai im për këtë miqësi: “Eksepsion unikal”.
Enveri, për ta përjashtuar edhe ruajtur Esatin nga rregulli i asgjësimit të planifikuar dhe periodik, që nuk përjashtonte as edhe një lloj shoku, vetëm Esatin e mbajti me poste “speciale”, biles edhe gjatë Luftës “Nacional-Çlirimtare”, si antar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm “Nacional-Çlirimtar”, ose me pozita relativisht të larta në Shtabin e Përgjithshëm, ose e caktoi organizator të çetës së Dumresë etj. Pas “çlirimit” të vendit, e bëri dy herë deputet të Korçës në Kuvendin Popullor, pastaj e ruajti në hije dhe e emëroi drejtor të Shtëpive të Pushimit në Pogradec dhe më vonë drejtor të Shoqërisë-Komisionare.
Kaq ishin detyrat për Esatin aq sa jetoi. Trajtimi ekonomik i tij ishte i privilegjuar, hynte e dilte dhe drekonte tek Enveri, pa asnjë lloj audience, kalonin pushimet verore, gjithnjë bashkë, sidomos në Pogradec. Përfundimisht mund të them se e ruajti intimitetin shoqëror deri në fund të jetës së tij. Ky qe rasti më unikal në historikun e Partisë Komuniste Shqiptare dhe personalisht i Enver Hoxhës.
Ja ç’më tregonte daiu im Esati për Enver Hoxhën
Në bisedat që bënim, daiu im Esati thoshte se nga Enver Hoxha historikisht dridheshin të gjithë, apo siç thuhet shqip (popullorçe) “dh... në brek”. Çdokush që kish takim me të, mendonte gjithë natën se si do ta ndërtonte diskutimin, që ky të ishte i sigurt që ai do ta pëlqente. Ky ishte preokupimi më i madh i këtyre udhëheqësve qyqarë. Në të gjithë historinë që Enveri ka qenë në krye, vetëm dy persona e kanë kundërshtuar ballë për ballë atë. Ky qe një rast shumë i veçantë, ishte me të vërtet çudi, sidomos për “udhëheqësit trima”.
Këta të dy ishin, Pilo Peristeri dhe Ramadan Çitaku. Ky i dyti (Çitaku), i ka thënë Enver Hoxhës tekstualisht: “Mjaft më me llafet e tua, të dëgjojmë edhe të tjerët”. Kjo ndodhi kur u prishëm me Jugosllavinë, në një mbledhje të Komitetit Qendror. Po kështu foli edhe Pilo Peristeri kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik; “Dale o Enver, se ata rusët na e mësuan se ç’është komunizma”! Për këto dy raste, Enveri bëri dy tolerime të pashpjegueshme për natyrën e tij.
Për Ramadan Çitakun, nuk u mor ndonjë masë ekstreme “siç ishte zakon”, sepse gjoja Enveri i kërkoi Komitetit Qendror, që nëse “ishte e mundur”, të mos ia vinte re “Bacës” se ishte njeri i mirë, por i trashë, “kosovar hesapi”, ndërsa për Pilo Peristerin, po kështu foli në Komitetin Qendror, që edhe këtij mos ia vinin re, sepse këto lojë gafash apo lajthitjesh, si të thuash, janë në natyrën e Pilos, se ai për mungesë kulture të lartë politike, shprehet proletarçe, siç thotë edhe ai, por të jeni të sigurt se i ka pa qëllim të keq.
Komiteti Qendror i “mori parasysh” kërkesat e Enverit dhe mori për të dy masa simbolike. “Bacën” e çoi drejtor Qendror te Sigurimet Shoqërore, ndërsa Pilon, drejtor në Uzinën Mekanike në Qytetin Stalin, meqë i shkonte për racë se kishte prejardhje hekurpunuesi. Pilon e fali shumë shpejt, pasi ia kishte nevojën, sepse ky ishte “ciceroni” personal i tij dhe i shërbente me zell për të evidentuar aktivitetin revolucionar të Enver Hoxhës, sidomos në 16 tetor të çdo viti, atë e çonte nëpër radio, televizion, institucione të ndryshme, shkolla, reparte ushtarake e kudo nëpër republikë për të propaganduar veprën e tij, sakrificën, aftësitë e tij “të veçanta” organizative, ushtarake, politike e çdo gjë tjetër.
“Mos fol po deshe”! Pilua, shokun Enver e vinte në vendin e njeriut të rënë nga qielli, kaluar edhe një profeti. Ai thoshte se shoku Enver ishte babai i vërtetë dhe mësuesi i këtij populli, që e gjeti Shqipërinë pa asnjë dije, për të mos thënë popull plotësisht injorant në politikë, pale në filozofi dhe pa asnjë traditë revolucionare. Pikërisht puna e tij, mësimet, sakrificat e tij nga më të paimagjinueshme na prunë “aty ku jemi sot” dhe që na e ka lakmi e gjithë bota. Natyrisht “leksionet” e Pilos ishin të parapërgatitura në “fabrikën” e Nexhmije Hoxhës. Kjo “fabrikë”, në gjuhën zyrtare quhej Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste.
Pilo Peristeri konsiderohej nga komunistët më të vjetër shqiptar, së bashku me Miha Lakon, kështu i kishte caktuar “Zeusi”, prandaj Pilua ishte ngarkuar në këtë rol të rëndësisë së veçantë, meqenëse e kishte edhe besimin. Përsa u takon të gjithë komunistëve shqiptarë, duke përfshirë edhe udhëheqjen më të lartë “shtatë në qese” iu shkonin nga Enveri - thoshte Esati. Ja p.sh. Mehmet Shehun, që e mbajnë për trim të madh, apo Hero të Luftës, që e quan i tërë populli shqiptar, “dh... në brek nga ai” - “shtatë n’qese i shkojnë”, ngrihet në mbledhje të Byrosë Politike një ditë dhe me servilizmin më të madh dhe të dukshëm plot neveri, për t’i bërë qejfin “komandantit”, propozoi: Shokë, për të rritur sigurinë, për mbrojtjen e jetës së mësuesit dhe komandantit tonë, shokut Enver Hoxha, aq të shtrenjtë për ne dhe për gjithë Shqipërinë e matanë nëpër botë, propozoj që edhe ne anëtarët e Byrosë Politike, duke filluar që nga unë i pari, të kontrollohemi deri në trup e “kudo”, përpara se të hyjmë për punë në zyrën e shokut Enver, sepse kështu e kërkon situata dhe interesi i atdheut. Megjithëse shokut Enver ky propozim iu duk i tepërt edhe vet, jo vetëm që nuk e pranoi, por edhe e kundërshtoi. Mehmeti iu imponua Byrosë Politike, por në saj të demokracisë së brendshme në parti dhe duke patur parasysh vlerat e jashtëzakonshme të shokut Enver, kjo masë që do të merrej për ruajtjen e jetës së tij, ishte fare e vogël, rrjedhimisht me shumicë votash u pranua propozimi i “Heroit” Mehmet Shehu.
Kështu, që nga ajo ditë njerëzit e Sulo Gradecit ose pjesëtarët e sektorëve të mbrojtjes së udhëheqjes, kontrollonin me dorë në të gjithë trupin, edhe anëtarët e Byrosë Politike, së bashku me “trimin legjendar” Mehmet Shehun, kur i thërriste për ndonjë punë në zyrë apo në shtëpi, shoku Enver. Por, Mehmeti bëri edhe një propozim të dytë shumë më interesant se i pari dhe ky qe kulmi i servilizmit dhe i frikës, gjithashtu ndaj Enverit. Mesa duket si kriminel profesionist i regjur që ishte vetë, kishte filluar të mendonte se i qenë sosur ditët e jetës dhe e ndiente se ishte afër dita që do të vepronte edhe tek ai mekanizmi “auto-vrasës” tashmë i njohur.
Për ta larguar sado pak këtë siklet apo ankth dhe të investonte në Parti shenja të reja besueshmërie, ngrihet në një mbledhje të Byrosë Politike dhe thotë:
- Meqenëse shoku Enver është shumë i lodhur nga një punë shumëvjeçare dhe me intensitet të paimagjinueshëm për interesat e atdheut dhe për më tepër kanë dalluar se ai, lodhjen e tij mundohet ta fsheh kur është në krye të detyrës, apo në mes nesh, me qëllim që të mos na shqetësojë ne, lëre pastaj për ndonjë rast të jashtëzakonshëm që ai mund të mungojë në ndonjë mbledhje tonën, për arsye shërbimi jashtë Tiranës, se sa keq i vjen për mungesën, prandaj neve na bie për detyrë, që të gjejmë mënyra të reja, që me punën e përbashkët, të arrijmë të mos pengojmë për asnjë rast objektivat e punës, që shoku Enver i ka vënë vetes.
- Por, dua të theksoj edhe një gjë shumë të rëndësishme për këtë situatë të re shumë të ndërlikuar ndërkombëtare që po jetojmë. Kjo situatë e re ka lindur probleme të reja që duan zgjidhje, jo vetëm me mënyrat e zakonshme teknike, ekonomike, politike, diplomatike etj., por, kërkojnë mënyra dhe trajtime më të kualifikuara, nuk mjaftojnë më besnikëria klasike ndaj Marksizëm-Leninizmit në mënyrë shabllone, por baza e zgjidhjes duhet të jetë shumë më e gjerë, e mbështetur pa asnjë ekuivok në mendimet e reja që e pasurojnë Marksizëm-Leninizmin në mënyrë shkencore, për kushtet e sotme të hedhura nga Partia jonë me shokun Enver në krye. Dua të shtoj edhe një gjë: Ne, anëtarët e Byrosë Politike lëmë shumë për të dëshiruar, që të arrijmë këtë nivel të ri, neve na duhet të punojmë shumë që t’i asimilojmë këto direktiva të reja, prandaj propozoj që në çdo mbledhje të Byrosë Politike, të asistojë për të na ndihmuar shoqja Nexhmije Hoxha, që është natyrshëm specialistja më e mirë për ç’ka shtrova më sipër. Prezenca e saj në mbledhjet tona, si dhe ndihma e saj, jo vetëm që na ndihmon që ne të mos gabojmë kurrë në “vijë”, por njëkohësisht shokut Enver i krijon mundësira të reja, kohë të re e më të zgjatur, për të punuar në studion e tij në shtëpi për çështjen tonë. Ndërsa ne të informohemi nëpërmjet shoqes Nexhmije, për kërkesat apo udhëzimet e reja, kështu që ne i kursejmë komandantit ecejaket për ne, “kohë “është, po si!
- I lutem shoqes Nexhmije të mos keqkuptohet se çdo gjë që shtrova, e di se do t’i pëlqej shokut Enver, pavarësisht se ai do të ngarkohet me më shumë punë, por ama e dimë që ai është i etur për punë dhe ne me këto propozimet e reja, do t’i lehtësojmë lëvizjet e parëndësishme. I lutem gjithashtu edhe njëherë shoqes Nexhmije, se për këtë ndihmë që do të na japi ne dhe Partisë, do t’i jemi mirënjohës dhe për të mos shkelur rregullat administrative të Partisë, të mos e protokollojmë prezencën e saj në mbledhjet tona. Me gjithë kundërshtimin e shoqes Nexhmije, propozimi u hodh në votë dhe u miratua njëzëri. Si rrjedhim shoqja Nexhmije merrte pjesë në çdo mbledhje të Byrosë Politike, pa u shënuar kurrë në protokollin zyrtar të mbledhjes. Edhe Suloja kënaqej nga niveli i lartë i ndërgjegjes, së shokëve të “Birosë”.
Mehmeti me këto furçet apo pallavrat e tij për figurën e Enverit, mendonte se do të fitonte diçka, së paku të arrinte ta bindte sadopak Nexhmijen, se ai ushqente dashuri e respekt për të, prandaj e kishte aktualizuar këtë çështje. Enveri kishte disa kohë, që nuk vinte gjithnjë në mbledhje të Byrosë, për shkak të sëmundjeve të tij të njohura si, diabet i lartë, sëmundjen e rëndë të zemrës etj., por e keqja më e rëndësishme për të ishte, kur ai duhej të paraqitej në kontakte të ndryshme me njerëzit, sepse ai kishte pësuar një ezauriment mendor galopant në formë mjaft të rëndë, sa kishte arritur t’i pengonte dhe rrjedhshmërinë e të folurit, lëre pastaj dhe nivelin mendor.
Por, siç u duk më vonë, këto forma apo sjellje servile që Mehmet Shehu përdori, nuk i dhanë asnjë përfitim për të keqen që mendonte, se do t’i ndodhte sipas historisë dhe rregullit “auto-vrasës”, që funksiononte normalisht në Parti. Koha tregoi se edhe atij i ishte përcaktuar me saktësi dita e asgjësimit. Kjo ishte në fakt periudha më e keqe shëndetësore e Enverit dhe tashmë ishte e qartë për të gjithë, se ai nuk e merrte më veten dhe shëndeti i tij do të shkonte përditë e më keq. Kështu që komandën e shtetit shqiptar, efektivisht e kishte marrë në dorë në mënyrë absolute, “Zonja e Zezë” Nexhmije Hoxha dhe Sulo Gradeci, dora e hekurt e saj, të dy kriminelë sadistë sa s’ka. Ndërkohë llahtaria dhe frika tek Mehmeti, kishin mbërritur kulmin edhe te mua si Xhavit.
Më kujtohet një rast shumë i turpshëm për “heroin” frikacak Mehmet Shehu. Vjen një ditë gjithë madhështi dhe autoritet në Kombinatin e Auto-Traktorëve me cilësinë e kryeministrit, në një mbledhje pune në bazë (siç i thoshin atëherë), me rastin e prodhimit të traktorit të parë shqiptar. Gjatë fjalës së tij që përshkohej nga një entuziazëm i madh për “sukseset” e arritura nga klasa jonë punëtore nën udhëheqjen e Partisë me shokun Enver në krye, një shok i yni po komunist, Vesel Bano, nga “entuziazmi” i madh që e kishte pushtuar, ndërpreu fjalën e Mehmetit dhe bërtiti në sallë: Rroftë shoku Mehmet Shehu dhe natyrshëm e gjithë salla brohoriti “Urra, urra ...” në mënyrë frenetike, por për çudi ngrihet Mehmeti i “nervozuar” në kulm dhe urdhëron me duar e zë të lartë: Të dalë menjëherë jashtë, ai që hodhi atë parullë krejtësisht të gabuar.
Pas pak vazhdoi duke bërtitur rishtazi: More-more, po ç’jam unë? Unë nuk jam gjë tjetër, veçse një si ju dhe asgjë më tepër. Neve duhet të thërrasim dhe të bërtasim biles, por jo, jo, jo “rroftë Mehmeti”, por “Rroftë shoku Enver Hoxha” - themeluesi i Partisë sonë, sepse ai na rriti, na edukoi dhe na bëri këta që jemi sot, ai punoi me të gjithë ne si mësuesi me nxënësin, prandaj të gjithë e kemi detyrim të thërrasim me forcë dhe biles me forcë të madhe. Të rrojë Partia jonë dhe themeluesi e mësuesi ynë shoku Enver Hoxha, urra-urra ... dhe kështu ndodhi në Kombinatin tonë.
Pra, me këto që përshkrova shkurtazi për Mehmet Shehun, del dhe vërtetohet katërcipërisht se ai ishte një burracak i vërtetë dhe katil shumë ordiner, si të gjithë shokët e sërës së tij.
Por, dimë edhe historinë, edhe fundin e Mehmet Shehut, që shkoi si “cjapi te kasapi”, kur i erdhi momenti i planifikuar për t’u asgjësuar si gjithë të tjerët, biles ai ishte aq i “ndërgjegjshëm”, sa la edhe një letër përshëndetëse për Partinë që e rriti, e edukoi dhe në fund natyrshëm e asgjësoi. Enveri tek Mehmeti si person, shfrytëzoi në maksimum anën e tij kriminale, që e kishte në kufijtë shumë më të lartë se shokët e tij dhe mund të themi pa frikë, se ishte kampion i kriminelëve të tjerë, duke përjashtuar vetëm Enver Hoxhën që ia kalonte. Enveri e asgjësoi Mehmetin kur deshi, tamam si një pulë, pa asnjë problem.
Ai nuk i zuri besë atij asnjëherë, gjithmonë dyshonte për të, i dukej se ishte mosmirënjohës dhe biles, Enveri nga qëndrimi që ai mbante, çuditej se si nuk e kuptonte se i kishte kaluar shumë koha e flijimit, si të gjithë shokët paraardhës. E keqja për Mehmetin dhe që e “mori në qafë”, ishte bindja e tij se Enveri nuk bënte dot pa të dhe njëkohësisht besonte për një vdekje të papritur për të, prandaj ai mendonte se si po shkonin punët, nuk e kishte keq, sikur do t’ia hidhte. Por, njëkohësisht edhe Enveri e mendonte shumë mirë, se sa keq do të sillej Mehmeti me emrin e figurën e tij pas vdekjes, lëre pastaj me familjen e tij. Prandaj ai meritonte trajtim të veçantë.
Gradualisht i zhduku edhe gruan Fiqirete Sanxhaktarin. Edhe kjo kriminele e njohur që kishte mbajtur dhe funksione të larta partie, prandaj edhe ajo ishte në nomenklaturën që mekanizmi auto-vrasës i Partisë, duhet të vepronte edhe mbi të, rrugë të cilën ajo ja u kishte caktuar personalisht shokëve dhe shoqeve të saj. Po kështu i zhdukën edhe djalin e madh Vladimirin me (vetë)vrasje. Ky qe shpërblimi që ju jepte “nëna Parti” bijve dhe bijave të saja, për punën e tyre të “vyer” ndër vite. Enveri, bashkëpunëtorët e tij të afërt i analizonte me shumë kujdes, ai p.sh., sikur të dallonte tek ata që natyra i kishte dhuruar pak nder dhe pak trimëri, ai i refuzonte menjëherë dhe nuk i donte kurën e kurës pranë vetes.
Ai preferonte ata njerëz që veç mungesës së nderit dhe trimërisë, mundësisht të kishin edhe të kaluar të diskutueshme. Kjo gjë i interesonte atij, sepse e kishte më të lehtë të bënte me ta çfarë të donte. Këto “vegla” qorre kalonin kontroll pas kontrolli dhe në fund i shikonte edhe njëherë ai vet me shumë kujdes, këta kandidat, që ia ofronin për bashkëpunëtorë sipas shijes së tij, organet e caktuara për këto probleme, mbi të gjitha ai u kontrollonte edhe a kishin cilësi të larta natyrale për t’u përpunuar sipas dëshirës së vet dhe po të bindej ai vetë personalisht për këto cilësi, atëher ata konsideroheshin të padiskutueshëm për të.
Ai nëpërmjet informacioneve të sakta merrte vesh shkallën e kolaboracionizmit të tyre me qeveritë e kaluara, ky informacion ishte një avantazh për të, sepse e dinte që ata do të ishin më të gatshmit për t’u futur në çdo punë të pisët, apo krime të çdo lloji, vetëm për të mbuluar të kaluarën e tyre të kompromentuar. Po përmend disa nga këta elementë të ulët që punuan me shumë devocion për atë sistem dhe në fund shumë prej tyre i përpiu mekanizmi i famshëm auto-vrasës i partisë së tyre:
- Dr. Omer Nishani, ka qenë përfaqësues i lartë i Dhomës Koorporative Fashiste dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit.
- Ramiz Alia, me kombësi boshnjake, ka qenë anëtar i Rinisë Fashiste, i veshur me këmishë të zezë. Partia dispononte fotografi origjinale dhe regjistra fashiste, ku kishte prej tyre edhe me firmën e tij origjinale.
- Gjeneral Qazim Kondi, në shtator të vitit 1941 ishte oficer fashist; për merita ndaj fashizmit, në janar të 1943, emërohet nënprefekt i Kurveleshit
- Gjon Banushi, rreshter i kuesturës në Vlorë dhe punonjës i strukturave të “SIMIT” (Shërbimi i Fshehtë Britanik) deri në fillim të vitit 1943.
Pa përmendur të tjerë si: Spiro Moisiu, Shefqet Peçi, Bedri Spahiu, Et’hem Berhani etj. Përmenda vetëm disa nga këta të niveleve nga më të lartat e deri te më të ulëtat. Ai me këta tipa luante si të donte, prandaj kishte arritur rezultate të larta në krime, duke përdorur këtë lloj llumi apo elementi dhe për këta mund të flasësh sa të duash, por fatkeqësisht në agjenturat e Sigurimit të Shtetit, kishte të kompromentuar edhe nga radhët tona.
Kjo e keqe ndodhi dhe u bë fakt edhe sepse kishte nga tanët që nuk mundën tu rezistonin terrorit dhe torturave për kohë të gjatë e që u shtrinë deri te familjarët e këtyre “qyqarëve” fatkeqë. Ky ishte një fakt i papritur dhe i paimagjinueshëm, prandaj këtë fatkeqësi të turpshme duhet ta pranojmë ashtu siç ishte realiteti. Kështu që edhe “hienat” komuniste duke penetruar edhe ndërmjet nesh, shkaktuan dëme të pa llogaritura. /Memorie.al/




















































