LAJMI I FUNDIT:

“Vepra e saj”, vepër monumentale për gratë pioniere në profesione

“Vepra e saj”, vepër monumentale për gratë pioniere në profesione

Gratë janë dhe kanë qenë pjesë e historisë së këtij rrugëtimi të gjatë në Kosovë. Edhe pse kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm, të pakta janë shkrimet biografike mbi ato që ishin nismëtare të profesioneve.

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me një botim të ri, nga artistja Alketa Xhafa Mripa, e cila këtë libër ua kushton pikërisht atyre; grave pioniere në profesione, në Kosovë dhe jo vetëm.

Duhej dikush që të hapte një shteg të ri, që veprimtaria e grave pioniere të kurorëzohej me një libër për to. Alketa Xhafa Mripa sjell këtë projekt të ri, në formë libri kësaj radhe, dedikuar atyre.

Misioni fisnik i këtij libri është jo vetëm kujtesa ndaj këtyre grave, por edhe vlerësimi i veprës së tyre, kontributit të çmuar dhe peshës që kishin në mesazhin që tejçuan.

Ky libër është një vlerë e shtuar, jo vetëm për botën e librit. I kontribuon kauzës gjinore, pasi jo vetëm që flet për të drejtat e grave dhe thyerjen e konvencioneve kulturore të kohës, por tregon se si këto vajza dhe gra ia kanë dalë përtej çdo sfide.

Sfida që, në një realitet tjetër, ishin jo të lehta. Realitet që u pamundësonte shkollimin vajzave dhe grave. Një realitet plot paragjykime e të panjohura.

Gratë profesioniste pioniere ishin ato që thyen tabutë dhe stigmën e kohës, që u hapën rrugën profesionisteve të tjera.

Dhe, përtej të gjithë këtyre sfidave, epiqendra e këtij libri janë vetë këto gra, që tejkaluan çdo barrierë të kohës. Ato, vërtet, meritonin një libër të tillë.

Meritonin që të vinin si një rikujtesë për historinë, si një vlerësim për të tashmen, dhe si një tribut për të ardhmen.

Alketa, që në parathënie të librit, flet për fëmijërinë e saj, ku përmendeshin vetëm heronjtë dhe trimat, kurse diku prapa, në pluhurin e harresës, liheshin emrat e grave të mëdha, që kishin gdhendur modelin e shqiptares së emancipuar dhe të guximshme.

Alketa, vetë një grua e suksesshme, nuk harron zanafillën, gratë që hapën këtë shteg, që ajo dhe të gjitha profesionistet e sotme, të dinë sa nga ku nis baza.

Ky libër është monumental dhe meriton të jetë në raftet e shtëpive tona, çantat shkollore e vitrinat e librarive.

Faleminderit, Alketa, që me veprën tënde, ke vendosur të kujtosh “Veprën e saj”


Artikull i sponzorizuar