Veliera pëson defekt dhe rrezikohet nga dallgët, policia ndihmon dy turistë në Gramë

Policia Kufitare e Vlorës dhe Roja Bregdetare i kanë ardhur në ndihmë dy turistëve të huaj, të cilët po lundronin me një veliere që kishte pësuar defekt në motor dhe kishin mbetur në det të hapur.
Dy personat ndodheshin rreth 5 milje larg bregut, përballë Gjirit të Gramës, ku rrezikoheshin edhe për shkak të dallgëve të mëdha.
Pas ndërhyrjes së Policisë Kufitare, turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa veliera u shoqërua drejt Gjirit të Portopalermos në mënyrë të sigurt.
Njoftimi i Policisë:
“Gjatë ditës së sotme, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë mori njoftim për dy shtetas të huaj që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues rreth 5 milje në det të hapur, përballë Gjirit të Gramës, të cilët kërkonin ndihmë. Menjëherë u organizuan shërbimet e Policisë Kufitare, dhe mjeti lundrues i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi u nis drejt koordinatave për të lokalizuar dhe ndihmuar dy turistët, të cilët rrezikoheshin edhe nga dallgët e mëdha. Njëkohësisht, patrulla kufitare tokësore mbajti nën vëzhgim të vazhdueshëm velieren. Pavarësisht kushteve të vështira, pas disa orësh ndërhyrjeje dhe në bashkëpunim me ekuipazhin e Rojës Bregdetare, u arrit shoqërimi i sigurt i velieres drejt Gjirit të Portopalermos. Dy shtetasit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore”, njoftoi policia.

















































