Një person që ka pësuar lëndime në aksident komunikacioni, më 18 maj 2025, ku kishte hubur jetën një person, ka ndërruar jetë sot në QKUK.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë rajonale të Prizrenit.


“Sot, më datë 06.06.2025, rreth orës 08:35, Policia është informuar përmes telefonit nga QKUK se i lënduari në aksidentin e trafikut të ndodhur më 18.05.2025, në afërsi të fshatit Puskë, Prizren, E.T., 25-vjeçar, i cili ka qenë në trajtim mjekësor në QKUK - Prishtinë, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në atë aksident”, ka thënë Bytyqi.

Ai tha se është njoftuar prokurori kujdestar, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.

Kujtojmë se në aksidentin e njëjtë, kishte ndërruar jetë në vendngjarje edhe një 19-vjeçare nga Prizreni./Telegrafi/