Vdekja e gruas në Istog, dyshohet se u përdor arma e bashkëshortit polic

Një grua e cila ishte plagosur sot me armë zjarri në Istog ka vdekur në Spitalin e Pejës. Vdekjen e saj e kanë konfirmuar nga Spitali dhe nga Prokuroria e Pejës më 20.02.2026.
KALLXO.com ka mësuar e njëjta është plagosur me armën zyrtare të bashkëshortit të saj, i cili është pjesë e Policisë së Kosovës. Ajo edhe pse u dërgua në spital, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Poashtu raportohet se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, burri i viktimës nuk ishte në shtëpi. Familjarët e kishin dëgjuar krismën dhe e kishin gjetur viktimën të shtrirë në korridorin e shtëpisë.
Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Ai konfirmoi se deri më tani dyshimet e para janë për vetëplagosje që më pas përfundoi me fatalitet.
“Ajo çfarë mund të themi deri më tani është se nga të dhënat e para kemi të bëjmë me një rast të vdekjes së dyshimtë. Një grua është plagosur dhe është dërguar në spital, deri sa ishte në ndërhyrje kirurgjike e njëjta nuk ka arritur që t’i mbijetojë plagës dhe ka vdekur. Aktualisht njësitet policore dhe prokurori bashkë edhe me Inspektoratin policor janë duke u marrë me ngjarjen. Trupi i pajetë do të dërgohet edhe për obduksion”, tha Nikçi.





















































