LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon shërimi i fëmijëve me sëmundje të zemrës në SHBA

Vazhdon shërimi i fëmijëve me sëmundje të zemrës në SHBA

Në Kosovë fatkeqësisht ekziston një numër i konsiderueshëm i fëmijëve që lindin me sëmundje të zemrës dhe shërimi i të cilëve në vendin tonë është pothuajse i pamundur.

Megjithatë, kohët e fundit janë rritur shpresat e këtyre fëmijëve për mjekim jashtë vendit. Një gjë të tillë po e mundëson tash e disa vjet organizata “Gift of Life Kosova”, që drejtohet nga doktori në pension, Mazllum Belegu.

Kjo organizatë deri më tash ka dërguar për shërim në SHBA 85 fëmijë me probleme në zemër. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe është duke u bërë lista me fëmijët që kanë probleme të tilla, ngase në fund të muajit korrik në Kosovë do të vjen një ekip i mjekëve amerikanë, të cilët do ta vlerësojnë gjendjen e fëmijëve.


“Kjo iniciativë ka filluar në vitin 2004 në Pejë, kur këtë qytet e vizitoi një shqiptare-amerikane, Shqipe Malushi, e cila na mundësoi që nëpërmjet organizatës ‘Gift of Life International’ me seli në Nju Jork që t’i dërgojmë 10 fëmijë për shërim në SHBA.  Megjithatë, ne e dërguam një vajzë për shërim atje, por ajo u kthye dhe sot e asaj dite nuk kam pasur mundësi të dijë se për çfarë arsye dhe çfarë ndodhi. Këtu pastaj ngeci puna dhe u ndërpre dërgimi i fëmijëve për shërim. Pastaj, në vitin 2009 një student i ynë që kishte shkuar në Harward për studime postdiplomike dhe që ishte pjesë e atij grupi që e dërguam atë vajzën për shërim filloi të mendojë pse të mos riaktivizohet sërish ajo iniciativë dhe na mundësoi që t’i dërgojmë dy fëmijë për shërim atje. Më pas u hap mundësia që të krijojmë organizatën ‘Gift of Life Kosova’ dhe të dërgojmë edhe fëmijë tjerë atje. Në fillim derisa ata nuk e kuptuan se ne jemi seriozë na pranuan vetëm nga tre fëmijë deri në vitin 2012. Gjatë atij viti për herë të parë organizuam me idenë e tyre misionin ku erdhën ekspertët e tyre në Kosovë për të përzgjedhur fëmijët që ne ua kishim propozuar për shërim së bashku me Klinikën e Pediatrisë”, ka theksuar Belegu në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK 1.

Tutje Belegu ka folur edhe për një shpallje që është bërë në emër të tij në rrjetin social ‘Facebook’, ku janë ftuar të gjithë prindërit që kanë fëmijët e sëmurë nga zemra që të lajmërohen për t’u përfshirë në listën që do t’u paraqitet mjekëve amerikanë.

“Kjo shpallje e ka një tregim të rëndë, sepse nuk jam unë që e kam bërë atë shpallje. Sidoqoftë, besoj se e ka bërë dikush që ka dashur të na ndihmojë dhe qëllimi ka qenë i mirë, por e keqja është që nuk është konsultuar fare me ne, se kur dhe si me zbatu atë iniciativë të mbledhjes së informatave për fëmijët e sëmurë nga zemra. Kjo shpallje ndikoj që të vijnë telefonata të panumërta në numrin tim prej mëngjesit deri në orët e vona të natës, por tashmë edhe ky problem deri diku është zgjidhur. Sidoqoftë, ai lajmërim në ‘Facebook’ ka edhe disa informata të gabuara, ngase atje shkruan se ekipi i mjekëve amerikanë vjen në mars, e në fakt ata vijnë më 30 korrik. Pra deri atëherë ka kohë për t’u përfshirë në listë, por paraprakisht duhet të ketë edhe udhëzim të kardiologut”, ka shtuar Belegu.

Belegu ka treguar se çdo herë kur vjen ekipi i mjekëve amerikanë për të marrë pacientët e rinj, paraprakisht i viziton fëmijët që janë operuar në SHBA, në mënyrë që t’i eliminojnë ato raste që nuk kanë më nevojë për kontrollime dhe që janë shëruar plotësisht.

“Deri më tash, me disa fëmijë që janë në pritje për të shkuar, numri i fëmijëve për shërim në SHBA arrin në 85, por janë katër prej tyre që kanë shkuar dy herë, pasi është konstatuar se diçka nuk ka shkuar mirë dhe me ndërhyrjen e dytë është përmirësuar gjithçka. Fatkeqësisht, numri i dërgimit të fëmijëve është i limituar ngase edhe atyre u kushton trajtimi i këtyre fëmijëve, pasi ata që dërgohen atje nuk kanë nevojë për kurrfarë shpenzimi dhe me ta udhëton edhe njëri prind. Biletat e udhëtimit me aeroplanë paguhen nga Ministria e Shëndetësisë, por kur nevojitet ndërrimi i biletës, atëherë atë ndryshim e paguajmë ne si organizatë”, ka sqaruar Belegu.

Në fund, ai ka ftuar të gjithë prindërit që i kanë fëmijët me defekte në zemër që të lajmërohen në organizatën “Gift Of Life Kosova” ose në Klinikën Pediatrike, në mënyrë që të jenë pjesë e listës së fëmijëve të cilët do të vlerësohen nga ekipi i mjekëve amerikanë, se cilët janë raste më urgjente për trajtim në SHBA.

Ai ka shprehur shpresën që në një të ardhme të afërt këta fëmijë të trajtohen dhe diagnostifikohen për shërim në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Pediatrisë Kardio-kirurgjike në Prishtinë.

Në trend Lajme

Më shumë
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitarët tregojnë për sjelljen e të akuzuarve në natën kritike

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitarët tregojnë për sjelljen e të akuzuarve në natën kritike

Drejtësi
Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake - Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake - Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

Kronika e Zezë
Rama i hap rrugë privatizimit të banesave komunale në Prishtinë

Rama i hap rrugë privatizimit të banesave komunale në Prishtinë

Prishtina
Mësohet data e publikimit të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Mësohet data e publikimit të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Lajme
Rezidenca e Presidentit Rugova drejt përfundimit të restaurimit, Kurti dhe Çeku vizitojnë punimet

Rezidenca e Presidentit Rugova drejt përfundimit të restaurimit, Kurti dhe Çeku vizitojnë punimet

Lajme
Presidentja Osmani shfrytëzon të drejtën e vetos, ia kthen Kuvendit dy ligje për rishqyrtim

Presidentja Osmani shfrytëzon të drejtën e vetos, ia kthen Kuvendit dy ligje për rishqyrtim

Lajme
Kalo në kategori