Ushtria gjermane mund të fillojë punësimin e shtetasve të BE-së për punë të specializuar, tha një zyrtar i lartë të enjten.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, inspektori i përgjithshëm i ushtrisë, Eberhard Zorn, i tha grupit të mediave Funke se për shkak të mungesës, punësimi i shtetasve të BE-së në ushtrinë gjermane është "një opsion" për t'u shqyrtuar, por vetëm në fusha të specializuara.


"Ne po flasim këtu për shembull për mjekët ose specialistët e IT", tha ai.

Gjermania aktualisht nuk lejon që qytetarët e huaj të shërbejnë në uniformë. Megjithatë, gjermanët që kanë një shtetësi të dytë, lejohen të shërbejnë në forcat e armatosura.

Ndryshe, Qeveria në Berlin ka qenë nën presionin e aleatëve të NATO-s për të rritur shpenzimet në mbrojtje dhe planifikon të rrisë numrin e personelit ushtarak gjatë viteve të ardhshme. /Telegrafi/