Në kuadër të vizitave të rregullta nëpër biznese të suksesshme vendore, një delegacion i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Kosovë vizitoi kompaninë e njohur Muqa Solar, e cila operon me sukses në fushën e energjisë së ripërtëritshme që nga viti 2008.

Delegacioni i Unionit, i përbërë nga Kryetari i Degës, z. Shkelzen Jusaj, anëtari i Bordit, z. Miftar Veseli, dhe Drejtori i Zyrës në Kosovë, z. Agim Kuleta, u prit ngrohtësisht nga pronari i kompanisë, z. Xhevat Muqa, dhe ekipi i tij profesional. Gjatë takimit, z. Muqa prezantoi historinë e kompanisë, gamën e produkteve që ofron dhe rrjetin e gjerë të partnerëve ndërkombëtarë me të cilët bashkëpunon.


Z. Jusaj, në emër të Unionit, vlerësoi kontributin e Muqa Solar në përhapjen e energjisë së pastër në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre gjermane. Ai premtoi mbështetjen e plotë të Unionit për anëtarët e tij, sidomos në adresimin e sfidave me të cilat përballen bizneset në sektorin e energjisë alternative.

Muqa Solar është një nga kompanitë më të konsoliduara në sektorin e energjisë diellore në vend, e specializuar në projektimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve solare fotovoltaike dhe termike. Kompania bashkëpunon me emra të mëdhenj evropianë si: SONNENKRAFT, KIOTO, EFFEKTA, Fronius, Aerocompact, GL Charge, Studer dhe NGEN, duke siguruar teknologjitë më të fundit në treg.

Përveç investimit në teknologji, kompania fokusohet edhe në ndërtimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe praktikave për nxënësit dhe studentët nga profilet teknike. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është lehtësimi i financimit të projekteve solare përmes bashkëpunimit me bankat komerciale, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve të investojnë në energji të gjelbër përmes kredive të buta dhe produkteve të dedikuara financiare.

Vizita e Unionit u vlerësua si një nxitje për forcimin e bashkëpunimit mes sektorit privat dhe organizatave mbështetëse të biznesit, me synimin për të fuqizuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe energjetik të Kosovës./Telegrafi/