Unikkatili: 25 mijë fansa ishin në koncert

Telegrafi ka kontaktuar pas koncertit reperin legjendar dhe përkundër faktit se ai ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve tona, ai kurrë nuk i ka kthyer ato. Kontakti ka ekzistuar dhe është i gjallë, prandaj zbulojmë ekskluzivisht për fansat më poshtë disa prej fjalëve të Unikkatilit rreth koncertit.
“Ani pra, e bëjmë intervistën. Mi dërgo disa pyetje, tani më aktualet se më herët. Tjetër do të kisha pasur dëshirë të demantoj një gjë që kishin thënë televizionet që kinse nuk ka qenë koncerti ‘live’. Ti pasi që ke qenë vet i pranishëm e di se unë secilën repturë e kam performuar 100% ‘live’ dhe çdo njeri që e ka marrë vesh e di atë gjë dhe e ka dëgjuar zërin tim ‘live’. Refrenat kanë qenë pjesët e vetme ku unë është dashur të mbushem frymë”.
“E kam edhe një konflikt rreth pyetjes së parë, nuk më duket korrekte(pyetja jonë e parë fliste për ndjenjën që Unikkatili ka pasur para 20 mijë personave.) Nuk e di sa e di ti, por unë e kam të konfirmuar se kanë qenë rreth 25 mijë persona. Dhe nëse e marrim parasysh çmimet që ishin 15, 20, 30 dhe 116 euro e jo 5 euro, atëherë ky koncert ka qenë më i madhi i ndonjë artisti, pa marrë parasysh nacionalitetin dhe racën”.
“Sa i përket pyetjes së dytë (pyetja mbi kritikat e mediave tona pas koncertit) nuk besoj se ato kanë vënë në dyshim diçka, pasi ato kanë reaguar nga inati dhe për shkak se një kameraman pësoi dy-tri goditje, por në përgjithësi njerëzit e dinë të gjithë që koncerti ka qenë ‘live’ dhe në YouTube kjo vërehet më së miri”, ka thënë Unikkatili ekskluzivisht për Telegrafin.
Një përmbledhje të detajizuar të koncertit të Unikkatilit dhe top momenteve tjera të vitit mund t’i gjeni duke klikuar këtu – Top momentet e vitit 2012. /Telegrafi/































































