UÇK bashkoi shqiptarët në Tiranë, mijëra qytetarë kërkuan “Liri për Çlirimtarët”

Mijëra shqiptarë kanë zbarkuar në sheshin ‘Skënderbej’ në një protestë të paralajmëruar më herët për ish krerët e UÇK.
Nën sloganin ‘Unë jam UÇK!’, “Lironi çlirimtarët!’ dhe nën simbolet tona etnike, qytetarë të Tiranës, Prishtinës, Tetovës dhe jo vetëm treguan mbështetjen e tyre për akuzat e padrejta ndaj ish krerëve të UÇK.
Tubimi, që u zhvillua nën moton “Liria ka emër”, mblodhi mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, të cilët shprehën solidaritetin me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Protesta nisi me intonimin e Himnit Kombëtar, duke përcjellë mesazhin e unitetit kombëtar dhe mbrojtjes së vlerave të luftës së UÇK-së.
Gjatë protestës u mbajtën disa fjalime nga figura të njohura politike dhe shoqërore, ku theksi u vu në karakterin e drejtë e të shenjtë të luftës çlirimtare dhe kërkesa që drejtësia ndërkombëtare të njohë të vërtetën historike të popullit shqiptar.
Ali Ahmeti: “Trillime ruso-serbe, UÇK nuk ka shkelur ligjet e luftës”
Një ndër themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, tha se aktakuzat ndaj ish-krerëve të Kosovës janë të pabazuara dhe të ndërtuara mbi trillime të vjetra.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftë dhe asnjëherë nuk ka shkelur ligjet e luftës. Sot po gjykohen njerëzit që mbrojtën pragun e shtëpisë nga gjenocidi serb,” deklaroi Ahmeti.
Alfred Moisiu: “Ish-krerët e UÇK-së janë të burgosur pa prova”
Ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili vizitoi së fundmi të paraburgosurit në Hagë së bashku me ish-presidentët Meidani e Topi dhe ish-kryeministrin Majko, tha se ish-udhëheqësit e UÇK-së janë të qetë dhe të vendosur për të mbrojtur luftën e tyre të drejtë.
“Zyrtarët amerikanë që po dëshmojnë në Hagë po sjellin prova se ata janë të pafajshëm. Ata nuk ishin kriminelë, por udhëheqës të lirisë,” theksoi Moisiu, duke apeluar për unitet mbarëkombëtar.
Rushdi Keçi: “UÇK nuk ishte organizatë kriminale, por ushtri e një populli të shtypur”
Kryetari i Shoqatës “Tirana”, Rushdi Keçi, theksoi se drejtësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë përballë së vërtetës historike të Kosovës.
“Tirana ka qenë gjithmonë simbol i bashkimit kombëtar. Sot jemi këtu për të nderuar dëshmorët dhe për të kërkuar drejtësi për vëllezërit tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë,” tha ai.
Hysni Gucati: “Gjykata Speciale ka humbur çdo besim te shqiptarët”
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, u shpreh se proceset në Hagë janë të padrejta dhe se viktima po barazohet me xhelatin.
“Ne nuk do të heshtim. Kjo protestë nuk është politike, por është thirrje e ndërgjegjes kombëtare. Gjykata Speciale ka humbur çdo besim te shqiptarët,” deklaroi Gucati.
Protesta përfundoi pa incidente, ndërsa pjesëmarrësit theksuan se do të vazhdojnë përpjekjet për të mbrojtur figurën e UÇK-së dhe për të kërkuar drejtësi për ata që, sipas tyre, po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.
Protesta e së premtes është mbështetur edhe nga Qeveria e Shqipërisë, e cila vendosi ta heqë pagesën rrugën në autostradën “Rruga e Kombit” mes Kosovës dhe Shqipërisë për 24 orë, nga 17 deri më 18 tetor.
Disa komuna të Kosovës, përfshirë ato ndër më të mëdhatë sikurse Prishtina dhe Prizreni, mundësuan udhëtim falas me autobusë nga qytetet përkatëse drejt Tiranës për qytetarët kosovarë.
Sipas raportimeve, për këtë protestë udhëtuan edhe shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Por, kjo protestë nxiti edhe një përplasje mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Lëvizjes Vetëvendosje, partisë së kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti.
Në një reagim para protestës, Vetëvendosje tha se e mbështet protestën, por i kritikoi ata që tha se më 2015 e përkrahën themelimin e kësaj gjykate, duke marrë Ramën si shembull.
“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, shkroi Vetëvendosje në Facebook më 15 tetor.
Rama iu përgjigj asaj në X, duke thënë se nuk është në garë me Vetëvendosjen dhe se i vjen keq që ajo “po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë, me balotazhe komunale”.
Rama shtoi se, nëse “flasim për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo [Vetëvendosje] nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.



















































