Lojtarët e Manchester Cityt kanë treguar solidaritet pas humbjes turpëruese me rezultat 3-1 ndaj Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve, duke vendosur të mbulojnë pjesërisht shpenzimet e tifozëve që udhëtuan drejt Rrethit Arktik për ta ndjekur skuadrën e tyre.

Siç raportohet nga Manchester Evening News, futbollistët e Man Cityt kanë kontribuar me rreth 10,800 euro për t’i rimbursuar tifozët që udhëtuan për në Norvegji, pavarësisht kushteve të vështira të udhëtimit.


Humbja ndaj kampionëve norvegjezë ka thelluar krizën e Manchester Cityt në fillim të vitit 2026, me skuadrën që ka pesë ndeshje pa fitore në Ligën Premier dhe një pozicion të pasigurt në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.


Përballë këtij momenti të vështirë, grupi i lojtarëve, i udhëhequr nga kapitenët Bernardo Silva, Rúben Dias, Erling Haaland dhe Rodri, ra dakord që të paktën kostot e biletave të mbuloheshin për tifozët që ishin mysafir.

“Tifozët tanë janë gjithçka për ne. Ne e dimë sakrificën që bëjnë kur udhëtojnë kudo për të na mbështetur, dhe nuk e marrim kurrë këtë si të mirëqenë. Duke pasur parasysh distancën dhe temperaturat e ulëta, kjo është më e pakta që mund të bëjmë,” thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga lojtari i Man Cityt.

Ky gjest është mirëpritur nga tifozët dhe komentuesit sportivë, dhe shihet si një shembull i lidhjes së fortë midis skuadrës dhe mbështetësve të saj, edhe në ditët më të vështira. /Telegrafi/

telegrafi sport app