Një 18 vjeçar në Durrës është proceduar penalisht. Policia bën me dije se i riu pas një konflikti ka goditur me grusht një 52-vjeçari. Mësohet se 52 vjeçari ka rënë me kokë në tokë.

Për shkak të plagëve të marra ai humbi jetën të martën rreth orës 22:00, në Spitalin e Traumës. Ngjarja e rëndë u regjistrua në një rrugë në fshatin Arapaj. I riu akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.


“Drejtoria Vendore e Policisë Durrës/ Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.11.2025, në lidhje me procedimin penal të 18-vjeçarit, shtetasit L. Ç., pasi dyshohej se për motive të dobëta, kishte goditur me grusht, shtetasin S. F., 52 vjeç, njoftojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kryen ndalimin me iniciativë të shtetasit L. Ç., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se si pasojë e goditjes me grusht, 52-vjeçari ka rënë me kokë, në tokë, në një rrugë në fshatin Arapaj, dhe pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën më datë 10.11.2025, rreth orës 22:00, në Spitalin e Traumës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. Gj., 34 vjeç dhe K. K., 32 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur një 40-vjeçar.

Në vijim të informacionit të dhënë rreth largimit nga banesa, më datë 08.11.2025, të shtetases S. B., informojmë se ajo u gjet në gjendje të mirë shëndetësore dhe deklaroi se ishte larguar me dëshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /Euronews/