Të mërkurën, Policia Kufitare në Himarë ka marrë njoftim për dy turistë amerikanë, të cilët ishin duke lundruar me një mjet lundrues kanoe, në vendin e quajtur “Gjiri i Filikurit”.

Ata e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, pasi ishin bllokuar në shkëmbinjtë, që gjendeshin në atë zonë.


Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi, për t’iu ardhur në ndihmë 2 turistëve.

Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë ata në breg, duke i shoqëruar me mjetin e Policisë Kufitare, dhe aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë Kufitare, për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë ofrimit të ndihmës.

Policia e Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë.