I arrestuari në Prishtinë është Liridon Fetahi, i kërkuar në tërë Evropën për vrasje me pagesë

Policia e Kosovës arrestoi një prej personave më të kërkuar në Evropë, Liridon Fetahi, i cili figuronte në listën “EU Most Wanted”.
Ai u arrestua sot në lagjen Veternik të Prishtinës, nën dyshimet për vrasje të kryera në Danimarkë.
Bazuar edhe në të dhënat e publikuara nga Europol, ai akuzohet për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor, vepra këto që dyshohet se janë kryer si pjesë e vrasjeve me pagesë.
"Liridon FETAHI kërkohet për dy raste të ndryshme vrasjesh. E para nga prilli 2020 kur një viktimë u qëllua dhe u vra në një parking publik. Në rastin e dytë nga nëntori 2020, tre viktima u qëlluan duke çuar në vdekjen e dy prej tyre. Ai besohet të jetë anëtar i një bande kriminale daneze", thuhet në faqen e Europol-it.
Ndërkaq, policia konfirmoi se arrestimi është rezultat i një pune intensive operative në terren nga njësia e specializuar për kapjen e personave të arratisur.
“Sot, më 23.03.2026, në Prishtinë, Policia e Kosovës, përkatësisht njësia ‘FAST Kosova’, në bashkëpunim me njësitë e rendit publik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), ka realizuar me sukses arrestimin e një shtetasi të huaj të kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare për veprën penale ‘vrasje’”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, Fetahu po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të tipit “Red Notice”, të lëshuar nga autoritetet e Danimarkës.
“Rasti është duke u trajtuar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa autoritetet kompetente janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore në përputhje me procedurat në fuqi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/





















































