Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është "shumë krenar" për Izraelin dhe Iranin që ranë dakord për një armëpushim.

Duke folur në një samit të NATO-s në Hagë të Holandës, presidenti amerikan tha se armëpushimi ishte "shumë i mirë", përcjell Telegrafi.


I pyetur në lidhje me raportet e inteligjencës amerikane që sugjeronin se sulmet nuk shkatërruan vendet bërthamore të Iranit, zoti Trump nuk u pajtua.

"Unë besoj se ishte zhdukje totale, besoj se ata nuk kishin një shans për të nxjerrë asgjë sepse vepruam shpejt. Është e vështirë të hiqet ai lloj materiali - shumë i fortë dhe shumë i rrezikshëm", shtoi ai.

Ndërkohë sekretari i tij i mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se dëmi ishte "i moderuar deri i rëndë, dhe ne besojmë se ka shumë më tepër gjasa të jetë i rëndë".

Presidenti amerikan u pyet gjithashtu në lidhje me kërcënimet iraniane për të vazhduar pasurimin e uraniumit.

Lidhur me këtë, ai tha: "Gjëja e fundit që ata duan të bëjnë është të pasurojnë diçka tani. Ata duan të rikuperohen. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë". /Telegrafi/