Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se do të ndalojë pranimin e migrantëve nga të gjitha vendet e botës së tretë në Shtetet e Bashkuara. Ai synon gjithashtu të heqë çdo mbështetje federale për personat që nuk janë shtetas amerikanë.

Lideri amerikan e bëri këtë njoftim në rrjetin social Truth Social, pak pasi ka vdekur një pjesëtare e Gardës Kombëtare, e cila, sipas autoriteteve, u plagos të mërkurën pranë Shtëpisë së Bardhë nga një burrë me origjinë afgane.


“Do ta ndalojë përgjithmonë migrimin nga të gjitha vendet e botës së tretë, në mënyrë që sistemi amerikan të mund të rikuperohet plotësisht. Do të largoj çdo person që nuk është një kontribut i pastër për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose që nuk është i aftë ta dojë vendin tonë, do të heq të gjitha ndihmat dhe subvencionet federale për personat që nuk janë shtetasit tanë, do t’ua heq shtetësinë migrantëve që prishin rendin publik dhe do të deportoj të gjithë të huajt që janë barrë për buxhetin, paraqesin rrezik sigurie ose nuk janë të përputhshëm me civilizimin perëndimor”, ka shtuar ai.

Deklarata erdhi pak pasi u bë e ditur se ka vdekur gardistja 20-vjeçare, Sarah Beckstrom, e cila u plagos nga një migrant nga Afganistani.

Trump edhe gjatë fushatës së vitit të kaluar e kishte bërë të qartë se ndalimi i migrimit ishte një nga objektivat kryesore të mandatit të tij të dytë. Në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës, numri i kalimeve të paligjshme ka rënë në mënyrë drastike që nga hyrja e Trumpit në detyrë në muajin janar, pjesërisht edhe për shkak të angazhimit të ushtrisë.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi në tetor se do të ulë dukshëm numrin e refugjatëve të pranuar - personave që përballen me përndjekje ose që ikin nga lufta. Gjatë 12 muajve të ardhshëm, numri i tyre do të jetë maksimumi 7500, ndërsa gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan, Joe Bidenit ka qenë deri në 125 mijë.

Ndërkohë, administrata amerikane po përpiqet të deportojë miliona migrantë që ndodhen në SHBA pa dokumentet e nevojshme. Në këtë proces, ajo shpesh përballet me rezistencë nga komunitetet ku këta njerëz jetojnë, pasi shumë prej tyre kanë vite që qëndrojnë në vend, paguajnë taksa dhe punojnë në sektorë - si në bujqësi - ku zakonisht ka mungesë të interesimit. /Telegrafi/