Sekreti i dizajnerëve të brendshëm: kombinoni tre objekte me lartësi të ndryshme për një hapësirë që duket e balancuar, harmonike dhe luksoze

Me një truk të thjeshtë në renditjen e dekorit, shtëpia juaj mund të duket sikur është marrë nga një revistë luksoze, pa asnjë shpenzim shtesë. Mjafton të dini si t’i vendosni qirinjtë, kornizat dhe vazot për të krijuar një pamje elegante dhe të kuruar.


Dekori që flet i pari

Dekorimi i komodes apo i ndonjë sipërfaqeje të rrafshët në dhomën e ndenjjes është gjëja e parë që bie në sy sapo dikush hyn në ambient. Ky detaj shpesh tregon sa me kujdes është menduar hapësira – sepse një sipërfaqe e sheshtë, nëse nuk dekorohet me përmasë dhe renditje të duhur, mund të duket e zbrazët, e çrregullt ose e lodhshme për syrin.

Por dizajnerët e brendshëm kanë një rregull të thjeshtë, por magjik, që e përdorin gjithmonë për të kombinuar qirinjtë, kornizat dhe vazot, rregulli i tresheve dhe i ekuilibrit,

Rregulli i tresheve

Sipas dizajnerëve të enterierit, syri e percepton më natyrshëm tre objekte sesa dy ose katër. Prandaj, nëse doni që hapësira juaj të duket si ato fotot perfekte në Pinterest, zgjidhni tre objekte dekorative me lartësi të ndryshme, për shembull, një vazo të lartë, një qiri të mesëm dhe një kornizë më të vogël me foto. Ky kombinim krijon dinamikë vizuale dhe një ndjesi ngrohtësie e spontaniteti, që e bën ambientin të duket më i gjallë dhe më estetik.

Luani me lartësi dhe tekstura

Përveç ndryshimit në lartësi, është e rëndësishme që objektet të dallojnë edhe në material dhe teksturë. Një kombinim si vazo prej xhami, kornizë druri dhe mbajtëse qiriri prej metali i jep thellësi dhe karakter hapësirës. Nëse doni një prekje luksi, shtoni një detaj të vogël në të artë apo të zezë, për t’i lidhur të gjitha elementet në harmoni, transmeton Telegrafi.

shutterstock

Simetria nuk është gjithmonë përgjigjja

Një nga gabimet më të zakonshme është dëshira për simetri të përsosur. Ndërkohë, profesionistët shpesh e thyejnë qëllimisht simetrinë, duke e zhvendosur objektin kryesor (zakonisht më të lartin) pak majtas ose djathtas. Kjo e bën kompozimin të duket më natyral, më i gjallë dhe vizualisht më interesant dhe, në mënyrë të habitshme, më “i shtrenjtë” për syrin.

Mos harroni aromën

Në fund, aroma është ajo që e plotëson ndjesinë e luksit. Një qiri aromatik me nota vaniljeje, sandali apo pambuku të pastër mund të transformojë atmosferën e dhomës në çast. Zgjidhni një ngjyrë qiriu që përputhet me tonet e kornizës apo të vazos, për ta bërë çdo detaj të duket i menduar me kujdes.

shutterstock

Këshilla shtesë

Nëse komoda apo tavolina është më e gjerë, mos e mbushni të gjithë sipërfaqen. Krijoni dy kompozime të vogla, njërën në të majtë dhe tjetrën në të djathtë, ndërsa qendrën lëreni të pastër ose vendosni aty një pasqyrë elegante. Kështu do të ruani balancën dhe do t’i jepni hapësirës pamje luksoze pa mundim.

Siç theksojnë ekspertët e Architectural Digest, çelësi i dizajnit elegant nuk është në çmimin e objekteve, por në mënyrën si i vendosni. Një renditje e zgjuar mund ta bëjë çdo hapësirë të duket shumë më e rafinuar edhe pa asnjë investim shtesë. /Telegrafi/