Skuadra e Trepçës nuk arriti të marrë rezultat pozitiv në përballjen e radhës në FIBA Europe Cup, duke u mposhtur në udhëtim nga Basketball Lown Braunschweig me rezultatin 80:70.

Për mitrovicasit, kjo ishte një tjetër ndeshje e vështirë në një kampanjë që ka qenë plot sfida, ndërsa atyre u ka mbetur edhe një duel për ta përmbyllur fazën e grupeve, përballja me Anwil më 19 nëntor, në Poloni, me fillim nga ora 18:30.


Gjermanët e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë me rezultat 25:13. Trepça reagoi në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 16:14, por në pushim shkoi me dhjetë pikë disavantazh (39:29).

Vendësit e shtuan epërsinë në pjesën e tretë, duke e fituar atë 30:17, për të hyrë në çerekun e fundit me rezultat të thellë në favor, 69:46.

Megjithatë, në dhjetë minutat e fundit, “xehetarët” ndezën ndeshjen. Me një seri të fuqishme 18:0, ata arritën ta ngushtojnë rezultatin në 72:64, duke e rikthyer plotësisht rivalitetin në parket.

Vetëm tre minuta e 49 sekonda para fundit, Grant Sherfield shënoi trepikëshin e parë për Braunschweigut në këtë periudhë, duke ndalur hovin e Trepçës.

Deri në fund, skuadra gjermane ruajti qetësinë dhe arriti ta menaxhojë rezultatin, duke fituar me dhjetë pikë dallim.

Mustapha Amzil ishte më i miri për Trepçën, me 18 pikë, 8 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa Drilon Hajrizi kontribuoi me 15 pikë, 11 kërcime dhe 4 asistime.

Kjo është pjesëmarrja e katërt e Trepçës në këtë garë evropiane, por skuadra nga Mitrovica ende nuk ka arritur ta kalojë fazen grupore./Telegrafi/

telegrafi sport app