Gjatë ditës së sotme, ndërmarrja publike “Trepça” i’a ka ndërprerë marrëdhënien e punës punëtorit me iniciale E.A.

Sipas njoftimit, i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës, shkruan Telegrafi.


“Trepça” ka thënë se E.A. ka bërë këto vepra: ”Përdorimi i paligjshëm i mjeteve të Trepça Sh.A”, “Keqpërdorimi i pozitës dhe tejkalimi i autorizimeve” dhe “Shkaktimi i dëmit me qëllim ose nga pakujdesia e rëndë”.

“Në bazë të këtyre shkeljeve, Komisioni Disiplinor, me vendim nr. prot: 2664, datë 24.02.2025, ka vendosur shqiptimin e masës disiplinore – ndërprerjen e marrëdhënies së punës ndaj z. E.A.”, thuhet në njoftim.

Në disa media është raportuar se E.A. është Enis Abdurrahmani, i cili në janar të këtij viti ishte suspenduar nga pozita e u.d. kryeshefit ekzekutiv të “Trepçës”.

Për të konfirmuar se E.A. është Enis Abdurrahmani, Telegrafi ka dërguar pyetje tek institucionet përkatëse, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë gjithashtu edhe me Abdurrahmanin dhe u.d. kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, por që të dy ishin të pa qasshëm. /Telegrafi/