Lufta pushtuese e Rusisë ka më shumë se gjashtë muaj që ka futur të gjithë botën në pështjellim politik, ekonomik, energjetik dhe mediatik. Ajo po rrit rrezikun atomik dhe synon të thellojë kontradiktën midis Veriut dhe Jugut të BE-së, vetëm për hir të ëndrrave të Presidentit rus Vladimir Putin për të zhbërë demokracinë në Ukrainë dhe për ta rikthyer vendin nën thundrën e pushtetit të Moskës.
Ukraina sfidoi strategjinë ruse dhe pretendimet për një “fitore të shpejtë të ushtrisë ruse” dhe mbijetoi në pjesën më të madhe të territorit të saj, falë popullit të vet dhe ndihmës të pakursyer të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe e vendeve të tjera mike. Lufta ka arritur fundin e fillimit, por ajo që vjen është e pasigurt.
Kievi ndjen trysninë se duhet t’u tregojë aleatëve se lufta nuk është një kauzë e humbur dhe se Ukraina ende mund të rimarrë territorin e pushtuar. Vjeshta që po vjen është plot me rreziqe të reja politike dhe ushtarake, si: referendumi që po organizon Rusia për aneksimin e territoreve të pushtuara si dhe fillimi i shirave, që kthejnë fushat e betejës në këneta me baltë, ku të dyja palët do të mbeten të bllokuara në llogore.
Përballim
Ukraina edhe Rusia po përgatiten për një përballim të gjatë. Nëse Presidenti Putin mund të jetë i kënaqur me një ngecje apo statuskuo, Presidenti Zelensky nuk ka kohë për të humbur. Prej javësh, Ukraina ka vënë në dukje se po përgatitej për një kundërsulm në jug të vendit, për të zmbrapsur forcat ruse nga brezi bregdetar, i cili ka një rëndësi të madhe për mbijetesën ekonomike, sepse statuskuoja ngërthen dy pasoja të rrezikshme: (i) do të dëmtonte rëndë ekonominë e Ukrainës, e cila tashmë mbahet nga ndihma perëndimore dhe (ii) do t’i jepte mundësi Rusisë të forconte kontrollin në zonat që ka pushtuar. Por, strategë të ndryshëm mendojnë se një ofensivë, në qoftë se dështon, është e rrezikshme. Mund të ndikojë në mbështetjen ndërkombëtare, por, mund të jetë mundësia, që do ta shpëtonte Ukrainën nga një lufte e stërzgjatur (M. Kofman, CAN).
Kremlini ende nuk ka ndonjë plan paqeje dhe ka, pothuajse, dy muaj që vija e frontit nuk po ndryshon. Ushtria ruse po përpiqet të pushtojë gjithë Donbasin, ku sot kontrollon vetëm 60% të Donetskut dhe 90% të Luhanskut. Në horizont nuk duket ndonjë traktat, përveç marrëveshjes për rifillimin e eksporteve të drithërave e arritur nga përpjekjet e Turqisë dhe OKB-së. Mendimet se kjo luftë do të përfundojë deri në Krishtlindje ose deri në pranverën e ardhshme janë të gabuara, ajo do të zgjasë shumë, vëren Qendra për Analizën e Strategjive dhe Teknologjive të Moskës. (Në këto kushte, studiues ushtarakë perëndimorë rreshtojnë skenarë të ndryshëm për atë që mund të ndodhë në Ukrainë.
Një syresh, Gjeneralmajor Olivier Kempf (La Vigie), në studimet e veta, rreshton tetë skenarë të mundshëm: Deri në vjeshtë, të dyja palët kanë pak perspektiva për përparim. Në pranverë, ushtria ukrainase rimerr Khersonin, përparon në Kharkiv, por humbet Donbasin…; … ose anasjelltas, Rusia arrin të kontrollojë katër rajone; Kthimi në statuskuo, para 24 marsit; Krimeja si zgjidhje e luftës; Projekti Odessa dhe Novorassia (Rusia e Re); A mund të shkojnë rusët përtej Novorassia? dhe Ukraina kthehet te kufijtë e vitit 1991. KUNDËRSULMI Më 29 gusht, ushtria ukrainase nisi kundërsulmimin e shumëpritur për të rimarrë rajonet e pushtuara. Ajo ka sulmuar pozicionet ruse përgjatë gjithë vijës së frontit: nga Kharkivi, në veri, deri në Kherson, në jug.
Nuk njoftohen luftimeve të rëndësishme, ndofta, se ushtria ukrainase ka kërkuar “heshtje mediatike” dhe ka urdhëruar njësitë e veta që gazetarët t’i mbajnë larg vijës së frontit. Ministria britanike e Mbrojtjes vëren se Ukraina duket se po përparon. Formacionet ukrainase e kanë shtyrë vijën e përparme në një farë mase, por Rusia pretendon se ka zmbrapsur sulmin, duke shkaktuar viktima të shumta dhe se një grup “spiunësh dhe sabotatorësh” ishin vrarë gjatë luftimeve. Departamenti Amerikan i Shtetit vëren se “nuk ka të dhëna nëse ka filluar apo jo ofensiva në Kherson, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, këmbëngul se “operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë po kryhet sipas planit.
Me strategjinë e “luftës së thellë”, d.m.th., goditja e objektivave ruse shumë thellë nga vija e frontit, duke përdorur raketa amerikane dhe të vendeve të tjera me rreze të gjatë veprimi, Ukraina ka mundur të shkatërrojë depo armatimesh, baza ushtarake, qendra komande dhe pozicione trupash thellë në territorin e pushtuar, përfshirë gadishullin e Krimesë. Këto arritje i kanë dhënë Kievit një përparësi. Nga ana tjetër, mediatizimi i planeve për kundërsulmin e ndihmoi Ukrainën të sigurojë një ndihmë tjetër ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, rreth $3 miliardë dollarë, e cila është pjesë e një programi prej $40 miliardë dollarësh. Zyrtarë të administratës amerikane thonë se kjo ndihmë është edhe një mesazh për t’i thënë zotit Putin se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Ukrainën derisa ajo të ketë nevojë dhe NATO do të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar për të mbështetur Kievin për aq kohë sa do të duhet.
Ushtria ruse zmadhohet
Presidenti Putin ka urdhëruar rekrutimin e 137 mijë ushtarëve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ushtrisë ruse në një milion e 150 mijë vetë apo 10 për qind më shumë. Ky dekret, që hyn në fuqi më 1 janar 2023, dëshmon se zoti Putin nuk ka plan të tërhiqet nga Ukraina, përkundrazi, ai po planifikon një konflikt të gjatë vëren analistja D. Massicot, RAND. Ata që regjistrohen do të marrin një bonus prej 100 mijë rublash (1,700 euro) dhe rrogë 256 mijë rubla (4300 euro) në muaj, pesë herë më shumë se paga mesatare në Rusi.
Kjo politikë mund të joshë punëtorë nga sektorë të industrisë ruse, ku është ndërprerë ose ngadalësuar puna për shkak të sanksioneve. Gjithsesi, Kremlini mund të përdorë edhe një zgjidhje hibride: rekrutë, vullnetarë dhe punëtorë me kontratë. Kjo mënyrë rekrutimi dëshmon edhe një herë refuzimin e zotit Putin të dekretojë mobilizimin e përgjithshëm, që zgjidh problemin masiv. Mirëpo, mobilizimi i përgjithshëm mund të destabilizojë shoqërinë ruse, gjë që Kremlini i frikësohet. Prandaj, ky dekret, që disa analistë e quajtën “mobilizim vjedhurazi” dhe që mund të jetë përpjekja e fundit e kreut të Kremlinit, mund të përbënte një pikë kthese në luftë. Por, kjo duket tepër e vështirë sepse këta trupa nuk kanë përgatitje të mjaftueshme, nuk kanë aftësinë dhe përvojën e duhur luftarake (D. Minic, Ifri).
Po kështu, në ushtrinë ruse rëndon edhe problemi i rezervave të municionit. Agjenci të ndryshme vlerësojnë se Rusia ka shpenzuar gjysmën e rezervave të veta të municioneve, veçanërisht ato të artilerisë. Por, më shumë trupa kanë nevojë për më shumë municione. Në këto kushte, Rusia nuk do të jetë në gjendje të bëjë përparim të rëndësishëm pa një rritje të fuqisë së saj luftarake. Nga pikëpamja operative, vëren Ministria Britanike e Mbrojtjes, Rusia po vuan nga mungesa e municioneve, automjeteve dhe personelit.
Fantazma e Novorassia-s
Më 1 shtator, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Presidenti Putin zhvilloi një orë mësimi me nxënës të përzgjedhur nga e gjithë Rusia në një klasë në Kaliningrad. Tema e ligjëratës qe: “Të flasim për atë që është e rëndësishme”: historinë e miratuar nga Moska, e cila mohon sovranitetin e Ukrainës si një komb i pavarur që nga viti 1991. Ligjërata e zotit Putin tregon se ai nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Ukraina dhe do të përpiqet të realizojë idenë e vet se rusët dhe ukrainasit përfaqësojnë një popull dhe se sovraniteti i vërtetë i Ukrainës është i mundur vetëm në partneritet me Rusinë (Praglufte, Panorama, 15 dhjetor 2021).
Në këtë kontekst, si në median e shkruar, ashtu dhe atë vizive, Presidenti Putin u ka thënë rusëve se, në periudhën cariste, Kharkovi, Lugansku, Donetsku, Khersoni, Nikolaevi dhe Odessa quheshin “Novorassia” dhe nuk ishte pjesë e Ukrainës. Me këtë koncept historiko-nacionalist dhe kapitalizëm politik, zoti Putin justifikon para opinionit publik rus pushtimin e Ukrainës dhe i lejon Moskës të dominojë të gjithë Ukrainën jugore me perspektivën e një përfitimi strategjik, politik dhe ekonomik (J. Henrotin, ULB). Në vitin 2014, gjatë pushtimit më të hershëm rus të Ukrainës, Pavel Goubarev, guvernator i republikës të vetëshpallur të Donetskut, deklaroi se ky është vetëm hapi i parë drejt Rusisë së Re të madhe.
Kështu, Novorassia bëhet thirrja e tubimeve të separatistëve pro-rusë të Donbasit për të krijuar një shtet të ri të lidhur në mënyrë të pandashme me Moskën. Pse ringjallet një projekt i tillë neoimperialist sot? Arsyeja është dëshira e Presidentit Putin për të bërë bashkë hapësirën e ish-BRSS. Komuniteti i Vendeve të Pavarura të vitit 1991, Rusia e Re, Bota Ruse, Neoeurazizmi janë pjesë e logjikës gjeopolitike të Putinit: ekzaltimi i atdheut të madh sovjetik (J.S. Mongrenier).
Diplomacia turke
Lufta në Ukrainë ka bërë të njohur rëndësinë dhe suksesin e diplomacisë turke, si dhe politikën e jashtme shumë aktive të Turqisë, e cila mbështetet nga një rrjet i gjerë ambasadash në të gjithë botën. Presidenti Erdogan prezantohet sot si një negociator i paqes dhe i dialogut, veçanërisht në agresionin rus kundër Ukrainës. Tani, forca e vendit të tij është e nevojshme dhe e lakmuar nga të gjithë. Turqia është pjesë e bllokut perëndimor, por ajo diversifikon aleancat e veta dhe është në dialog të vazhdueshëm edhe kur kundërshtohen interesa (J. de Gliniasty, IRIS).
Politika e re turke, që po merr përsipër përgjegjësitë e veta më mirë se në të kaluarën, po i jep asaj mundësinë të bëhet ndërmjetëse dhe paqesjellëse me arritje mbresëlënëse ekonomike, ushtarake dhe diplomatike. Pikërisht këtu e ka burimin heshtja ndaj pakënaqësisë që shkaktojnë disa qëndrime dhe vendime të Ankarasë në arenën ndërkombëtare (Ifri). * * * Së fundi, Perëndimi nuk mund t’i lejojë vetes ta humbë këtë luftë. Perëndimi ka vetëm një zgjedhje: të ndihmojë Ukrainën të mbrohet dhe të përshpejtojë furnizimet me armatime. Uniteti dhe mobilizim i Perëndimit, i NATO-s dhe BE-së, duhet do të vazhdojë derisa Ukraina të ketë nevojë, pavarësisht ndonjë lodhjeje të parashikueshme apo tensioneve të pashmangshme të brendshme, që do të ndihen në frontin ekonomik dhe energjetik, sepse, siç vëren P. Fischer, treni rus që ka dalë nga shinat synon edhe Evropën.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKosova mëson kundërshtarin për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë
Trump po sjell këmbimoren për kriptovaluta TruthFi
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Zbulohen kundërshtarët e çerekfinaleve të Ligës së Kombeve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje