Tregu i hapur në komunën e Shtimes ka arritur në fazën e tretë të punimeve. Kjo është bërë e ditur gjatë një vizite që kishte në Shtime ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka. Këtë projekt po e realizon MZHR-ja në vlerë prej 340 mijë euro i cili ka nisur në vitin 2022 .

“Pas diskutimeve në ambientet e komunës, Kryetari Aliu dhe Ministri Damka, të shoqëruar nga zëvendësministri Elldin Uglari, drejtori i DPKZHR-së Ylber Çitaku dhe zyrtarë të tjerë të MZHR-së, vizituan nga afër vendin ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e tregut të hapur, faza e III-të. Gjatë këtij takimi u bë e ditur se së shpejti pritet të nënshkruhet edhe memorandumi për finalizimin e projektit të tregut të gjelbër, një tjetër investim me rëndësi për zhvillimin ekonomik local”, thuhet në njoftimin e Komunës së Shtimes./Telegrafi/