Mediumet turke kanë raportuar të hënën se sulmuesi i Besiktashit, Milot Rashica, ka zgjuar interesim serioz nga disa klube, përfshirë ekipe nga Gjermania dhe Arabia Saudite.

Edhe të mërkurën, mediat në Turqi kanë vijuar të shkruajnë për mundësinë e largimit të reprezentuesit të Kosovës nga klubi bardhezi, duke zbuluar tashmë edhe emrin e një klubi konkret të interesuar.


Sipas tyre, bëhet fjalë për Hoffenheimin, skuadër e Bundesligës, ku aktualisht aktivizohen me sukses tre futbollistë kosovarë: Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.

“Është mësuar se Hoffenheimi po përgatitet të paraqesë një ofertë zyrtare për sulmuesin kosovar të Besiktasit”, ka shkruar mediumi turk “Turkuva Radyolar”.

Rashica, 29 vjeç, është pjesë e Besiktashit që nga viti 2023, kur u transferua nga Norwich City për shumën prej 5 milionë eurosh.

Ai ka kontratë me klubin turk deri në verën e vitit 2027, ndërsa më herët në Turqi ka luajtur edhe për Galatasarayn. /Telegrafi/

telegrafi sport app