LAJMI I FUNDIT:

Tragjedia e triumfit të injorancës

Tragjedia e triumfit të injorancës

Bardh Frangu

Në kohën kur janë shtuar së tepërmi tezgat dhe kur janë ngarkuar me libra nga më të ndryshmet, në kohën kur në jetën tonë të letrarizuar dhe të festivalizuar dominon logjika e të krijuarit tallava, libri i Agron Shalës “Andrra në beze”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, në Prishtinë, na vjen si një surprizë e njëmendët. Në fakt ky libër na vjen si një bombë kundër injorancës dhe mediokritetit, e cila ka pushtuar çdo segment të jetës sonë. Si i tillë ky libër, ndër të tjera, na ndihmon të reflektojmë mbi dijen, mbi etikën dhe mbi estetikën, përkatësisht na ndihmon të shohim ku jemi vetë ne në të gjitha dimensionet e jetës dhe të krijimtarisë, për t’u bindur se në këtë moçal tonin, siç do të shprehet Shala në esenë “Krejt u bë m…, krejt u pështjell…, krejt ka shku në ps”, jemi të ngulfatur nga kundërmimi.

Titulli i librit “Andrra në beze”, i vendosur si huazim nga artisti i madh Kolë Idromeno, i cili ekzaltimin futurist të tij kështu e kishte shprehur kur në Shkodër ishte shfaqur filmi i parë, nuk ka të bëjë fare me ëndrrat, të cilat nënkuptojnë shpresën, por ka të bëjë, thënë shprehimisht me ëndrrat për petullat në ujë. Mbase kur lexohet libri në tërësi, titulli del të jetë edhe cinik, sepse në fakt kemi të bëjmë me një projeksion vizual të shprehur me fjalë si udhëtim nëpër një ëndërr të keqe, gjë të cilën e imponon realiteti ynë, ndërsa i gjithë libri është një refleksion mbi të.


Agron Shala, nëpërmjet refleksioneve në këtë libër na shfaqet si një postmodernist i njëmendët, i cili bosht të observimeve të tij ka dëshpërimin me gjendjen dhe fenomenet shoqërore në përgjithësi, të cilat e bëjnë të identifikueshëm atdheun si një moçalishte. Shi për këtë edhe referencat e eseve të tij janë kryesisht të këtij modeli dhe të kësaj gjuhe. Mbase mu për këtë esetë e Shalës nuk anojnë nga një gjuhë letrare, por më shumë janë si një bashkëdyzim i gjuhës së esesë, kolumnës dhe refleksionit. Prandaj në esetë e Shalës është kaq e pranishme gjuha e ironisë dhe satirës, mbase shpesh e ngritur edhe në groteskë. Si të tilla këto ese dhe në mbështetje të teknikave të ndërtimit, mund të thuhet lirshëm se të kujtojnë gjuhën e Borges-it jo vetëm nga esetë e tij, por edhe nga tregimet e tij brilante. Kjo mbase jo vetëm shkaku i parabolave dhe relativizimit të kohëve, por edhe për shumëçka tjetër.

Duke iu referuar filmave, si krijime sintetike, ku shkrihen të gjitha artet, Shala na shëtit nëpër kryevepra jo vetëm të kinematografisë, por edhe të letërsisë dhe muzikës. Esetë e Shalës dëshmojnë se artet jetojnë më mirë dhe më gjatë vetëm kur janë në korrelacion me njëri-tjetrin. Leximi i këtyre eseve na shëtitë natyrshëm jo vetëm nëpër këto fusha të artit, por na dërgon edhe nëpër projeksione filozofike, sociologjike e psikologjike që si refleksione shpërfaqin realitetin tonë, i cili na vjen si nga margjinat, por që në fakt është qëllimi bazë i eseve.

Sa i përket gjuhës me të cilën ndërtohen këto ese, mund të themi se autori Shala standardin e sheh si një këmishë të ngushtë, por jo edhe të papërdorshme. Ai qëndron brenda saj, por pa e ngulfatur veten në të, prandaj edhe natyrshëm përdorë shprehje dhe konstruksione gjuhësore që nuk përkojnë me standardin, por që në fakt i japin fuqi shprehëse eseve të tij. Mbase këtë e dëshmon që në titullin e librit.

Në përgjithësi esetë e Shalës, siç ka vërejtur edhe Blerim Shala, ndërtohen duke përdorur një pasuri të konsiderueshme në informacion, kombinim në zhanre, krahasime që bashkojnë të tashmen me të kaluarën. Dhe me të drejtë Blerim Shala konstaton: “Këto ese janë një dukuri e rrallë, tepër e rrallë në këtë ambientin tonë të kontaminuar me banalitete të të gjitha llojeve, të cilat janë bërë përditshmëri e jona”.

Vërtet galeria e reflektimit të Shalës mbi ngjarje dhe fenomene është shumë e pasur me autorë dhe personazhe nga bota e filmit, e letërsisë dhe muzikës. Ecja nëpër të shkakton një ndjenjë estetike të veçantë dhe një kureshtje të jashtëzakonshme për njohjen e problemeve dhe fenomeneve shoqërore të ndërlidhura me artin, për të ardhur kështu deri te konstatimi i Borges-it se njerëzimi shkruan vetëm një libër. Në kontekst të kësaj mund të thuhet se libri i Shalës ka përfshirë të gjitha librat e shkruara, të gjitha veprat muzikore që në një formë janë gjetur bashkë në beze. Zor është të gjendet një libër tjetër që mund t’ju shërbej lexuesve me interesime nga më të ndryshmet, sepse këtu e kemi të gërshetuar reflektimin filozofik, politik, sociologjik, psikologjik, etik dhe estetik. Si i tillë ky libër në një anë na shfaqet si armë kundër injorancës dhe mediokritetit dhe në anën tjetër si një doracak për njohjen e fenomeneve nga më të ndryshmet për fushat që i ceka më lart. /Zëri/